Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi vendimin e Ministrisë së Arsimit, lidhur me shtyrjen e zgjedhjeve në universitete. Duke folur për gazetarët pas pjesëmarrjes në një aktivitet për dhurimin e gjakut për talasemikët, Meta kishte dhe një mesazh në kuadër të hyrjes në fuqi të ndryshimeve në Kodin Penal. Këto ndryshime që kriminalizojnë thyerjen e karantinës në kohë epidemie janë dekretuar nga kreu i shtetit. Lidhur me çështjen e protestave apo tubimeve, Meta vuri në dukje se Kushtetuta garanton këtë të drejtë themelore. Më herët gjatë ditës, PD-ja ngriti shqetësimin se Qeveria po përdor gjendjen e krijuar nga emergjenca koronavirus për të kufizuar liritë themelore, përfshirë të drejtën për të protestuar.