Aktualitet Politikë

Imuniteti i Ballukut, PD: Peleshi mbyll dyert e Kuvendit në Këshillin e Mandateve!

Për sot në orën 11:00, 5 anëtarë të opozitës në Këshillin e Mandateve thirrën mbledhjen e këtij këshilli për çështjen Balluku, por i gjetën dyert e mbyllura në godinën e Kuvendit. Sipas PD-së, kryeparlamentari Niko Peleshi urdhëroi mbylljen e sallës duke i lënë jashtë. Deputeti Oerd Bylykbashi:

Kolegët bënë kërkesë për të thërritur mbledhjen me rend dite, shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të deputetes, Belinda Ballukut, në kuadër të hetimeve që po bëhen. Me praninë e pesë anëtarëve, mbledhja është e vlefshme, por kryetari i Kuvendit sërish refuzon ta thërrasë, të thërrasë pjesën tjetër, të bëjë veprimet e tij të domosdoshme të kërkuara nga ligji, duke bllokuar një proces shumë të rëndësishëm kushtetues të Parlamentit të Shqipërisë për heqjen e imunitetit dhe mospengimin e drejtësisë.

Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, akuzoi socialistët se po përpiqen të pengojnë drejtësinë për të luftuar korrupsionin, duke mos lejuar mbledhjen e Këshillit të Mandateve për të shqyrtuar kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.

Ta harrojnë! Nuk ka për të ndodhur. Belinda Balluku mund ta hajë Vitin e Ri në shtëpi, por ju siguroj që nuk do t’i shtyjë ditët dhe do të përfundojë në burg. Nuk mund t’iu vjedhësh shqiptarëve, në një vend në mes të Europës, por që është më i varfri në Europë, 1.1 miliardë euro dhe pastaj ta shndërrosh institucionin në bunker që mbron korrupsionin e këtyre.

Bardhi tha se Peleshi, po vepron me urdhra politikë të Edi Ramës.

Më vjen keq që thotë: Kur të plotësohen kushtet procedurale do ta mbledh Këshillin. Kur do të plotësohen kushtet? Kur t’i japë leje Edi Rama? Nuk funksionojnë kështu institucionet. Të korruptuarit nuk të japin kurrë leje për të luftuar korrupsionin. Të korruptuarit bëjnë gjithçka për të mbrojtur korrupsionin e tyre, siç po bëjnë edhe në këtë rast.

Në fillim të javës që vjen, opozita do të kërkojë mbledhjen e radhës.

Absolutisht, të pesë anëtarët e opozitës në Këshillin e Mandateve janë 24 orë në 24, në dispozicion të këtij procesi. Ne besojmë që pranimi i kërkesës së prokurorisë është detyrim përcaktim ndaj deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.