Aktualitet Politikë

Integrimi europian, kryenegociatorja Dhuka: Mbrojtja e mjedisit, ndër më sfidueset!

Një nga kapitujt më sfidues të grupkapitujve të negociatave është mbrojtja e mjedisit, siç bëri me dije kryenegociatorja Majlinda Dhuka gjatë raportimit në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme në Kuvend. Pasi renditi detyra të caktuara nga BE-ja për anëtarësimin, Dhuka tha se investimet për mbrojtjen e mjedisit kërkojnë investime të vazhdueshme dhe bashkëpunim për burimet e rinovueshme.

Eshtë një nga fushat më sfiduese për anëtarësimin dhe pas anëtarësimit, duke qenë se kërkon investime të mëdha në infrastrukturën publike e private sa i përket ndotjeve në ajër, ujërave, ndaj do të na duhet të punojmë të gjithë së bashku në lidhje me burimet e rinovueshme.

Gjatë raportimit, Dhuka theksoi punën intensive për forcimin e sistemit të drejtësisë, reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit. Ende mbeten ‘pezull’ kapitujt për drejtësinë e sigurinë, ndërsa mbyllja e negociatave pret përfundimin e diskutimeve të vendeve anëtare.

Po diskutohen kushtet për kapitujt drejtësia dhe siguria. Shqipëria pret me interes të lartë përfundimin e diskutimeve me vendet anëtare. Kjo do t’i jepte vendit dritën jeshile për t’u futur formalisht në fazën e mbylljes së negociatave.

101 është numri i kushteve që BE ka paraqitur për fazën e mbylljes së negociatave. Në 10 prej grupkapitujve, kryenegociatorja nënvizoi se ka përfunduar puna (teknikisht) në 3 prej tyre dhe vijon për 7 të tjerë. Në vijim, Kuvendit do t’i paraqiten për shqyrtim 8 paketa ligjore.

Një nga pikat më të rëndësishme ku do të vijojë puna është legjislacioni për mashtrimin financiar dhe marrëdhëniet me jashtë.

Nënkryetarja e Komisionit, Albana Vokshi, pati kritika për raportimin e kryenegociatores duke thënë se qeveria nuk jep informacione lidhur me procesin e negociatave. Vokshi deklaroi se raporti nuk është realist dhe pyeti Dhukën nëse edhe vetë ajo e beson raportin e qeverisë.

Sipas Vokshit, nuk ka asnjë përparim në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa asnjë nga kriteret bazë për integrimin nuk është përmbushur.