Aktualitet Politikë

Interpelanca për projektin TID, Zhupa: Plan pushtues, përçudnim i trashëgimisë! Gonxhja: Procesi transparent…

Kuvend, u mbajt interpelanca me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sporteve e kërkuar nga deputetja demokrate Ina Zhupa lidhur me projektin për restaurimin dhe rikualifikimin urban të zonës TID në Durrës. Nga Foltorja, Zhupa e cilësoi planin si “pushtues”, që fshihet nën emrin se do të përmirësojë turizmin në qytet, por që në fakt do të dëmtojë trashëgiminë kulturore të tij.

Sipas saj, ministri Gonxhja do të duhet që të sqarojë se “çfarë logjike ka ndjekur ministria që mendon se turizmi është shkatërrim i banesave të qytetarëve të zonës”.

“Kam kërkuar interpelanca për projektin TID për Durrësin, projekti i fshehur nën emrin për përmirësimin e turizmit të Durrësit, por është për shkatërrimin e trashëgimisë së Durrësit. Po të bëni një shëtitje te Vollga do të shihni foto të Durrësit të vjetër, ku tregohet se si ka qenë Durrësi. Vendbanimet dhe ju doni që ato që tregohen në ato foto të shkatërrohen. Banesat e qytetarëve që nuk janë prekur dhe janë banesa historike që kanë edhe tabela jashtë tyre si mure historike të shkatërrohen. Ministri të na shpjegojë pse është kjo sjellje pushtuesish në Durrësit.

Ky është plani i pushtuesve të Durrësit. Këto pikat e kuqe janë banesa që do të shkatërrohen. Ministri duhet të sqarojë se pse pranë pikave të kuqe ka pika të bardha. Cila janë kriteret që Amfiteatri është këtu dhe prishen shtëpitë këtu, që dy banesa me të njëjtin mur gjysma prishet dhe tjetra jo. Cila janë kriteret që keni përdorur për të bërë këtë masakër të Durrësit. Ky është përçudnim i trashëgimisë dhe identitetit të Durrësit”, tha Zhupa.

Më tutje, teksa mori fjalën ministri Gonxhja prezantoi projektin dhe ndërhyrjet që do të bëhen për këtë projekt, që sipas tij, do të jetë jetik për turizmin në Durrës por edhe për të gjithë vendin. Sipas tij, ky investim është unikal për faktin se do të jetë “shpëtues” i trashëgimisë historike e kulturore.

Gonxhja tha se procesi ka qenë transparent, ndërsa shtoi, në përgjigje të Zhupës, se ndërtesat historike dhe kulturore do të restaurohen duke ruajtur integritetin e tyre dhe historia nuk do të humbet.

“Ky proces ka qenë transparent dhe profesional në tërësinë e tij. Pa asnjë lidhje me aludime për klientelizëm apo kanë dalë fjalë deri për kursim dhe paligjshmëri. Janë 5 mln dollarë nga AADF, në fazë prokurimi sot, që shkojnë për restaurimin e fasadave, dhe rindërtimin e disa prej tyre. Qeveria përmes FSHZH-së dhe bashkia janë angazhuar për vazhdimin e projektit në infrastrukturë në rreth 6 mln dollarë, me buxhet shteti apo donatorë të tjerë.”, u shpreh Gonxhja.