Përpara zbulimit zyrtar të iPhone 17, ne kemi dëgjuar tashmë mjaft sugjerime për atë se si mund të jetë ai. Shumicën e rasteve, telefonat kryesorë prezantohen në shtator. Apple po ndërton një telefon ultra të hollë, me gjasë që do të quhet iPhone 17 Air që të përputhet me përcaktimin e laptopit ultra të lehtë të Apple. Mark Gurman i Bloomberg, shpesh një burim solid i informacionit të avancuar për Apple, raportoi në janar se iPhone 17 Air do të pajiset me një çip bazë A19 dhe do të ketë vetëm një lente të vetme kamere. Mund të përdorë gjithashtu modemin e ri të brendshëm të Apple, i cili u prezantua në shkurt në iPhone 16e. Më shumë detaje rreth këtij zhvillimi mund të dalin përpara shtatorit.
Informacioni i fundit sugjeron një opsion të ri ngjyrash për modelet e ardhshme premium në serinë iPhone 17. Modelet iPhone 17 Pro, nga seria e radhës e telefonave të Apple, pritet të marrin një opsion të ri ngjyrash të quajtur Sky Blue. Ky informacion u publikua nga këshilltari Majin Bu, i cili ka pasur parashikime të sakta për pajisjet e reja të Apple në të kaluarën. Sipas parashikimeve të tij, varianti i ardhshëm i ngjyrave për iPhone 17 Pro dhe 17 Pro Max do të duket i ngjashëm me Sky Blue M4 MacBook Air, i lançuar muajin e kaluar.
Burime pranë zinxhirit të furnizimit pohojnë se Apple tashmë ka prodhuar prototipe të iPhone 17 në ngjyrën e re. Apple nuk ka lëshuar një model iPhone Pro në një nuancë më të lehtë të kaltër që nga viti 2021, kur morëm serinë iPhone 13 Pro në Sierra Blue. Pritet që Apple të rezervojë numrin më të madh të risive dhe përmirësimeve për modelet e veta iPhone 17 Pro. Seria e re iPhone 17 pritet të prezantohet në muajin shtator të këtij viti.
Modelet iPhone 17 Pro thuhet se do të kenë një kornizë prej alumini, ndryshe nga iPhone 15 Pro dhe iPhone 16 Pro që përdorin titan, ndërsa modelet nga iPhone X deri te iPhone 14 Pro janë prodhuar prej çeliku inox. Pjesa e pasme e pajisjes pritet të ketë një dizajn të ri që kombinon aluminin dhe xhamin.
Pritet që modelet iPhone 17 Pro të kenë një modul të madh kamere në formë drejtkëndëshi me skaje të rrumbullakosura. Apple planifikon të ruajë skemën e tanishme trekëndore të lenteve në pjesën e pasme. Ekrani i iPhone 17 Pro pritet të ketë një shtresë të re antireflektuese, e cila do ta bëjë më rezistent ndaj gërvishtjeve krahasuar me modelet e mëparshme.