Film & Tv Gossip

Ish-e fejuara e Liam Payne, po përgatit dokumentar për marrëdhënien e tyre pas vdekjes tragjike të këngëtarit?

Ish-e fejuara e Liam Payne, Maya Henry, thuhet se po përgatit një dokumentar për marrëdhënien e tyre, një vit pas vdekjes tragjike të ish-anëtarit të One Direction, i cili humbi jetën pas një rënieje nga ballkoni i një hoteli në tetor 2024.

Payne dhe modelja amerikane ishin në një lidhje për rreth tre vite dhe u fejuan, por romanca e tyre përfundoi në vitin 2022.

Sipas raportimeve të tabloidit britanik The Sun, Maya po punon me HBO dhe një kompani të pavarur prodhimi për realizimin e projektit, i cili pritet të fokusohet në historinë e dashurisë së tyre dhe ndarjen, si dhe në “sulmin” online që ajo thotë se mori nga fansat e One Direction kur u bë publike lidhja e tyre.

Megjithatë, burime pranë familjes së këngëtarit shprehen të shqetësuar se publikimi i dokumentarit do të jetë tepër i dhimbshëm për ta, duke qenë se ata ende po përballen me humbjen e tij.

Ky dokumentar do të jetë tepër i dhimbshëm për familjen e Liam, të cilët po përballen me një humbje të paimagjinueshme. Ekziston gjithashtu shqetësim se filmi do të jetë i njëanshëm, pasi Liam nuk është më këtu për të dhënë versionin e tij të ngjarjeve. Thjesht duket tepër e trishtueshme

-është shprehur një burim për The Sun.

Interesi për këtë projekt është shtuar edhe më shumë pas intervistës së bujshme që Maya Henry dha në fillim të këtij viti, rreth katër muaj pas vdekjes së Payne.

Në një bisedë për Rolling Stone, ajo pretendoi se këngëtari përdorte heroinë dhe u dërgonte mesazhe me përmbajtje seksuale fansave femra, duke shtuar se e donte shumë, por se ai bëhej “i panjohshëm” nën ndikimin e drogës dhe e vendoste atë në “situata të pasigurta dhe të dëmshme” ndërsa luftonte me varësinë.

Henry ka treguar se, pavarësisht dashurisë për Liamin, ai e lëndoi në mënyra që ajo “nuk do t’i kuptojë kurrë plotësisht” dhe se përjetoi pasoja emocionale edhe vite pasi marrëdhënia e tyre kishte përfunduar.

Dokumentari i shumëpërfolur pritet të rikthejë në qendër të vëmendjes jo vetëm historinë e tyre, por edhe debatin mbi kufijtë mes tregimit personal dhe respektimit të privatësisë së një personi që nuk jeton më.