Pas gati një dekade ndarjeje dhe tensionesh, Zayn Malik është rikthyer në jetën e grupit One Direction në një mënyrë që ka befasuar fansat në mbarë botën.
Këngëtari 32-vjeçar, i cili u largua nga grupi në vitin 2015 për të ndjekur karrierën solo, është emëruar së fundmi Drejtor Biznesi i kompanisë PPM Music Limited, një rol që e ndajnë edhe ish-anëtarët Harry Styles, Louis Tomlinson dhe Niall Horan.
Ky zhvillim vjen pas një periudhe të gjatë distancimi dhe përplasjeve publike mes anëtarëve, por gjithashtu pas tragjedisë që tronditi grupin, vdekjes së Liam Payne, vitin e kaluar në Argjentinë, në moshën 31-vjeçare.
Sipas burimeve të The Sun, humbja e Liam ka qenë pikë kthese për grupin.
Ndarja nga jeta e Liam i ka afruar ata sërish dhe ka krijuar një dëshirë të fortë për t’u ribashkuar, në mënyrë që ta nderojnë kujtimin e tij,
-ka deklaruar një burim pranë grupit.
Zayn dhe Louis raportohet se kanë nënshkruar një marrëveshje shumë milionëshe për një projekt të ri në SHBA, i cili do të trajtojë jetën e tyre pas ndarjes nga grupi dhe mënyrën si kanë përballuar humbjen e mikut të tyre.
Për herë të parë pas shumë vitesh, të katër anëtarët u panë së bashku në funeralin e Liam, duke shënuar një moment prekës dhe simbolik për fansat e One Direction në mbarë botën.
I formuar në vitin 2010 gjatë spektaklit “The X Factor”, One Direction u shndërrua në një fenomen global, duke shitur mbi 70 milionë albume dhe duke fituar dhjetëra çmime ndërkombëtare.
Rikthimi i Zayn në grup dhe afrimi i anëtarëve pas tragjedisë ka ringjallur shpresat për një ribashkim të shumëpritur të One Direction, që mund të ndodhë për herë të parë pas më shumë se dhjetë vitesh.