Bota

Itali, pranga një mafiozi në arrati, i shumëkërkuar nga drejtësia!

Në ishullin e Sardenjës, policia italiane arrestoi mafiozin e shumëkërkuar, Graziano Mesina. Një njësi speciale e karabinierëve prangosi sot 79-vjeçarin në komunën Desulo. Mesina, i cili ka kaluar pjesën më të madhe të jetës në burg dhe është arratisur disa herë, u dënua në vitin 2020 nga Gjykata e Lartë e Italisë, me 24 vjet heqje lirie, për trafik droge, por u arratis para se të ekzekutohej dënimi.

Mesina është një nga kriminelët më të njohur në Sardenjë. Gjatë viteve ‘60-70 ishte kreu i një bande që çoi në rrëmbimin e industrialistëve dhe politikanëve. Ndonëse arrestohej vazhdimisht, po vazhdimisht arrinte të arratisej nga burgjet e spitalet ku shtrohej.

Ndikimi i tij në ishull ishte aq i madh, sa në vitin 1992, ndërhyri në një rast rrëmbimi e ndihmoi si ndërmjetës në lirimin e një fëmije. Rasti ishte i bujshëm pasi rrëmbyesit i prenë një pjesë të veshit 7-vjeçarit për të zhvatur një shpërblim financiar. Djali i hotelierit u lirua vetëm pas 177 ditësh. Detajet dhe roli i Mesinës nuk u sqaruan asnjëherë.

Në vitin 2004, presidenti i atëhershëm italian, Carlo Azeglio Ciampi e fali. Por, për shkak se Mesina u arrestua sërish në vitin 2013 për trafik droge, amnistia iu hoq.