Ndërsa po afrohet afati i fundit i vendosur nga presidenti amerikan, Donald Trump që Irani të hapë Ngushticën e Hormuzit, ushtria izraelite paralajmëroi për “më shumë javë” luftë kundër Iranit dhe Hezbollahut, grupit të shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara dhe të tjera vende.
Shtetas të Izraelit, ne përballemi me më shumë javë luftime kundër Iranit dhe Hezbollahut, tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Effie Defrin.
Çdo ditë që kalon, jemi më afër dobësimit të regjimit terrorist [në Teheran]. Nuk do të lejojmë atë apo degëzimet e tij të kërcënojnë qytetarët tanë të Izraelit ose ekzistencën e shtetit të Izraelit. Fushata tokësore kundër Hezbollahut në Liban do të intensifikohet në javët në vijim.
Operacioni kundër organizatës terroriste të Hezbollahut tashmë ka nisur… ky është operacion më i gjatë.
Ultimatumi i Trump-it për Hormuzin
Deklaratat nga Izraeli janë disi të kundërta në krahasim me palën amerikane për kohëzgjatjen e luftës.
Të gjithë sytë, tani janë te një ultimatum i Trump-it, i vendosur më 21 mars, në orën 19:44 me të Uashingtonit, kur presidenti i kërkoi Teheranit “hapjen e plotë” të Ngushticës së Hormuzit brenda 48 orësh ose në të kundërtën do të përballet me pasoja të rënda. Një përshkallëzim i madh i tensioneve në luftën që tashmë rrezikon të dalë jashtë kontrollit.
Nëse Irani nuk e HAP PLOTËSISHT, PA KËRCËNIME, Ngushticën e Hormuzit brenda 48 orësh nga ky moment, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i godasin dhe zhdukin CENTRALET E ENERGJISË, DUKE NISUR ME MË TË MADHEN, theksoi Trump përmes një postimi në platformën Truth Social.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë nuk e përmendi se cilat centrale të energjisë do të shënjestrohen, por deklarata vjen një ditë pasi tha se po shqyrton uljen e intensitetit të operacioneve luftarake, meqë, sipas tij, shumica e synimeve amerikane janë arritur.