Bota

Izraeli shtyn ofensivën tokësore në pritje të amerikanëve/Në Gaza hyjnë të tjera ndihma!

Izraeli vendosi që të shtyjë fillimin e ofensivës tokësore në Gaza, në pritje të trupave amerikane në Lindjen e Mesme.  Amerika njoftoi se qëndron në krah të Izraelit duke konfirmuar vendimin për të dërguar forca shtesë në rajon, pas kërcënimeve të Iranit për të vepruar në disa drejtime kundër izraelitëve.

Më herët, Izraeli paralajmëroi se lufta në Rripin e Gazës mund të zgjasë dy deri në tre muaj duke u zotuar se “pasi të përfundojë, nuk do të ketë më Hamas”. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu iu drejtua Hezbollahut kur tha se nëse ndërhyn në konfliktin e Izraelit me Hamasin, i bie se po kërkon luftën e dytë të Libanit pas asaj të vitit 2006.

Nga bombardimet izraelite, në Gaza janë vrarë rreth 5 mijë palestinezë, ndërsa afro 16 mijë u plagosën. Të paktën 17 vetë humbën jetën mëngjesin e sotëm në Jabalya, në veri të Gazës. Viktimat ishin të afërm të një lideri politik të grupit militant palestinez Xhihadi Islamik. Në Jabayla, banorët kanë vazhduar të shpërfillin thirrjet e vazhdueshme të ushtrisë izraelite për t’u larguar, që të zhvendosen në jug të Rripit të Gazës.

Tel Avivi thotë se nuk ka armëpushim gjatë negociatave për të liruar pengjet që mbahen nga Hamas. Gazeta New York Times shkruan se “Hamas mund të lirojë 50 pengje me shtetësi të dyfishtë”. Nga burime zyrtare në Izrael konfirmohet se është rritur në 222 numri i izraelitëve që mbahen peng nga grupi militant palestinez.

Ndërkaq, raportohet se një tjetër autokolonë me ndihma u lejua të hyjë në Gaza përmes pikëkalimit të Rafahut me Egjiptin. Lidhur me tensionet në Lindjen e Mesme, Spanja po kërkon organizimin e një konference ndërkombëtare paqeje për krijimin e një shteti palestinez.

Kina vazhdon të ndjekë me vëmendje zhvillimet e fundit dhe gjendjen në Gaza e konsideron “shumë serioze” pasi vlerëson se ekziston rreziku i zgjerimit të konfliktit në një shkallë të gjerë, duke çuar në përplasje të armatosura pranë kufijve të Izraelit. Pekini zyrtar ka parasysh përplasjet me Sirinë e Libanin.