J.K. Rowling, autorja e famshme e sagës “Harry Potter”, po përballet me kritika të ashpra pas qëndrimeve të saj të fundit ndaj komunitetit transgjinor.
Deklaratat dhe veprimet e shkrimtares kanë zhgënjyer shumë prej admiruesve të saj, të cilët dikur e shihnin “Harry Potter”-in si një histori që promovonte vlera si pranimi, barazia dhe mbrojtja e të margjinalizuarve.
Së fundmi, Rowling ka shprehur mbështetje për një vendim të Gjykatës Supreme të Mbretërisë së Bashkuar, i cili kufizon njohjen ligjore të grave trans, si dhe ka kontribuar financiarisht për organizata që kundërshtojnë të drejtat e këtij komuniteti. Këto veprime kanë nxitur reagime të forta në rrjetet sociale dhe kanë ndezur debat të gjerë në opinionin publik.
Ndërkohë, shumë fansa thonë se, ndonëse respektojnë të drejtën e saj për të shprehur mendimet, përdorimi i ndikimit dhe pasurisë për të mbështetur ide që prekin një komunitet të ndjeshëm është thellësisht zhgënjyes.
Për ta, dashuria për botën magjike të “Harry Potter”-it tashmë përzihet me një ndjenjë të hidhur zhgënjimi ndaj autores.