Aktualitet

Janar 2022 nis zbatimi i projektit për të marrë online çdo dëshmi prone!

Në fillim të vitit 2022, fillon zbatimi i projektit që synon të mbyllë sportelet e Kadastrës, pra çdo dëshmi prone, të merret online. Në dy vjet, synimi është që dokumentat e pronave të merren vetëm me një klikim. Në takimin e zhvilluar sot në Tiranë, për prezantimin e digjitalizimit të Kadastrës, proces që pritet të zbatohet në periudhën janar 2022-dhjetor 2023, zv.kryeministri Arben Ahmetaj deklaroi:

Zgjidhja e çështjes së pronës është çështje legale, por edhe çështje proceduriale. Imagjinoni dikë që ka një pronë në bregdet e po kalon vite e vite e mund të pafund për të pasur në dorë letrën që të gëzojë pronën e tij. Ndaj me këtë nismë, qeveria e vendos veten drejtpërdrejtë përgjegjëse për ta bërë sa më transparente, sa më të shpejtë gëzimin e pronësisë nëpërmjet një klikimi. Eshtë punë e madhe dhe shumë punë është bërë, por këtu me kadastrën kemi shumë punë për të bërë, pasi jemi në 2021 dhe arkivat e Kadastrës janë të 1950-ës e më përpara, ku një punonjësi të Kadastrës i duhet me ditë të tëra të kërkojë në dosjet e Kadastrës për të gjetur pronësinë, shto këtu edhe vendimet e pafundme të gjykatave.

Ahmetaj sqaron se kjo që po bëjnë, nuk është vetëm digjitalizim.

Në themel është çlirimi i qytetarëve, është heqja e një hallke burokratike, ku qytetarët nuk do të ketë përballë një institucion të pronave, por do të kenë një sistem që në arkivat e saj digjitale i ka të gjitha dokumentet transparente, në sekondën që duhet dhe çdo qytetar me një klik për 1 minutë ta ketë letrën e pronës në telefon.

Për Qeverinë, kjo është një betejë me të kaluarën, jo e thjeshtë.

Arkivat duken si një nga kështjellat e fundit të së kaluarës, që nuk janë prekur në 30 vite. Nuk po mburremi për këtë që kemi nisur sot. Por kemi nisur një revolucion digjital, për të thënë që Shqipëria 2030 është një shoqëri e teknologjisë së informacionit, që e çliron qytetarin nga zinxhirët e burokracisë.