BEST OF LIVE FROM TIRANA
E ftuar në “Live From Tirana” ka qenë Rea Shena, menaxhere artistësh dhe rekrutuese talentesh. Ajo ka diskutuar më shumë mbi lajmet më të fundit që po qarkullojnë nga bota e showbizit, por duke u ndalur edhe tek turizmi në Shqipëri. Çfarë çalon në vendin tonë sipas saj?
Mendoj që nuk është problem vetëm investitor, por është problem se ne kemi një shkollë hoteleri-turizmi, por nuk merret seriozisht. Kurse jashtë, njerëzit që studiojnë për hoteleri-turizëm, e kanë shumë për nder, për kënaqësi dhe realisht ata njerëz që shkojnë dhe studiojnë për atë gjë, e bëjnë me shumë kënaqësi më pas punën. Kurse këtu njerëzit që merren me këtë, nuk janë të trajnuar. Mua më ka ndodhur të flas, sepse kam shumë miq që kanë hotele dhe restorante, dhe kur i trajnojnë, mund të rrijnë një muaj dhe pastaj ikin diku tjetër ose ikin fare jashtë vendit. Gjë që unë dhe e kuptoj, se nga ana e biznesit të trajnosh dikë, është shumë monetare. Të trajnosh gjithë ata njerëz dhe pastaj të të ikin për një apo dy javë, nuk bën sens. Por gjithsesi kjo nuk heq faktin që shërbimi realisht në këto vende luksoze, lë për të dëshiruar jashtëzakonisht shumë. Mua më ka ndodhur vetë, kam qenë 2 vitesh në një nga këto resortet luksoze të vendit tonë dhe një pjatë me linguini, me atë ujin e nxehtë të linguinit, na u derdh në prehër. Përveç se nuk kishte asnjë ‘më fal’, nuk na erdhi asgjë gratis në fund, të tipit një pjatë me fruta në shenjë ndjese. Nëse ndodh kjo gjë jashtë në Amerikë, ti ke të drejtë t’i hedhësh në gjyq.