Zv.presidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance dhe bashkëshortja Usha Vance, mirëpritën fëmijën e katërt, një djalë të quajtur Alec Neel Vance. Lajmi u bë publik përmes një deklarate të përbashkët të çiftit.
Çifti falënderoi ekipin mjekësor të Qendrës Kombëtare Ushtarake Mjekësore “Walter Reed”, si edhe stafin mjekësor të Shtëpisë së Bardhë për kujdesin e ofruar gjatë lindjes.
Me ardhjen në jetë të Alec, familja Vance numëron tashmë katër fëmijë. Ai i bashkohet vëllezërve dhe motrës së tij: Ewan, 9 vjeç, Vivek, 6 dhe Mirabel, 4.
Ky shënon një moment historik në politikën amerikane, pasi është fëmija i parë që lind nga një zëvendëspresident në detyrë pas më shumë se 150 vitesh. Sipas të dhënave historike, rasti i fundit ishte më 1870-ën, kur Schuyler Colfax u bë baba gjatë kohës që shërbente si zëvendëspresident i SHBA-ve.
JD Vance, 41 vjeç, është shquar prej vitesh për qëndrimet e tij në favor të rritjes së lindshmërisë në Shtetet e Bashkuara. Vazhdimisht ka folur për shqetësime lidhur me rënien e normës së lindjeve dhe ka inkurajuar familjet amerikane të kenë më shumë fëmijë.
Usha Vance, 40 vjeçe, me origjinë indiane, njoftoi shtatzëninë në janar. Gjatë muajve të fundit, ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes publike, ndërsa shoqëronte bashkëshortin në aktivitetet zyrtare dhe udhëtimet jashtë vendit.