Jennifer Lopez ka folur me sinqeritet për jetën e saj sentimentale dhe ndjenjat ndaj dashurisë gjatë një interviste në “SiriusXM’s Howard Stern Show” më 15 tetor.
E pyetur nga moderatori nëse kishte përjetuar ndonjëherë “dashurinë e vërtetë”, këngëtarja dhe aktorja 56-vjeçare u ndal për një moment dhe më pas u përgjigj me një “Jo”.
Kam dashur shumë njerëz dhe kam marrë gjithçka që mund të më ofronin, por në atë kohë nuk e doja veten
-pranoi Lopez, duke shtuar se ndonëse kishte marrë unaza, shtëpi dhe propozime martese, ajo kuptoi se rrënja e vështirësive të saj në marrëdhënie ishte mungesa e vetëdashurisë.
Ylli i muzikës dhe filmit, e cila ka kaluar nëpër katër divorce – më i fundit me aktorin Ben Affleck, me të cilin aktualisht bashkëpunon në filmin “Kiss of the Spider Woman” – tha se ndarja e fundit i solli qartësi të madhe emocionale.
Ishte gjëja më e mirë që mund të më ndodhte, sepse më ndihmoi të kuptoja më shumë për veten
-u shpreh ajo, duke theksuar se terapia dhe puna me trajnues personalë e ndihmuan të rigjente ekuilibrin dhe vetëvlerësimin.
Lopez, nënë e binjakëve Max dhe Emme me ish-bashkëshortin Marc Anthony, tregoi se sot ndien një forcë të re të brendshme dhe është shumë më e sigurt për veten. Megjithatë, ajo pranoi se dashuria e vërtetë mund të ketë qenë e pranishme “vetëm për disa momente”.
Në fund të intervistës, Lopez falënderoi Howard Stern për bisedën e ndershme dhe për mënyrën se si ai e inkurajoi të reflektonte mbi ndjenjat dhe përvojat e saj me dashurinë.