Politikë

“Kam bërë gabime në karrierën time politike dhe në jetë”/ Berisha: Do përmbysim diktaturën e Edvin Ballukut!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në Kuvendin Kombëtar, deklaroi se e kishte ditur që forca politike që drejton do të përballej me sfida të mëdha dhe beteja të vështira, por theksoi se besimi tek demokratët nuk është lëkundur asnjëherë.

Berisha pranoi se gjatë jetës dhe karrierës së tij politike ka bërë gabime, por nuk specifikoi se kush ishin gabimet e tij politike dhe gabimet në jetë.

“Në karrierën time politike dhe në jetë, kam bërë gabime, kam pasur një avantazh të madh që nga vitet e rinise deri sot, kam ruajtur të paprekur bindjen se jashtë teorisë së gabimit kurrkush nuk del, por duhet t’i korrigjojmë ato. Por në një gjë që nuk kam gabuar është në besimin ndaj jush. Nuk kam vendosur kurrë në dyshim besimin te ju, karakterin tuaj të fortë, idealet tuaja e përkushtimin tuaj. Kjo parti është për vlera, nuk shitet dhe as nuk blihet. Sa herë rrëzohemi, ngrihemi përsëri”, u shpreh Berisha.

Duke iu drejtuar ish-kongresmenit amerikan Bob McEween, që ishte i pranishëm në sallën e Kongreseve, Berisha tha: “I dashur Bob, 35 vite më parë përmbysëm një diktaturë, diktaturën më oruelliane të Evropës së bashku, tani do përmbysim diktaturën e Edvin Ballukut, diktaturën më të shëmtuar midis diktaturave autokratike.”