Presidenti i Francës, Emmanuel Macron uroi kryeministrin Edi Rama, për fitoren në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit. Shefi i Elizesë thekson se Franca do të jetë gjithmonë në krah të Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian.
Urime Edi Rama, mik i dashur, për fitoren tënde në zgjedhjet parlamentare. Franca do të jetë gjithmonë në krah të Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian, shkruan Macron në gjuhën shqipe, në një postim në platformën X.
Do të takohemi të premten në Samitin e Komunitetit Politik Europian dhe për një vizitë që duhet të na lejojë të forcojmë edhe më shumë partneritetin tonë, thekson më tej.
Edhe shefja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen uroi Ramën:
Urime për fitoren në zgjedhje! Nën udhëheqjen tuaj, Shqipëria ka bërë përparime të mëdha drejt Bashkimit tonë. Le të vazhdojmë të punojmë ngushtë së bashku për reformat drejt BE-së. Shqipëria e meriton të jetë në BE! Me padurim pres t’ju uroj personalisht nesër në Tiranë.
Më herët, kryeministrin Rama e kanë uruar kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenković, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, kreu i Këshillit Europian, Antonio Costa.