Celebrities Magazine Ndryshe Showbiz

Kanë sjellë medaljen e parë të boksit në Shqipëri, Nelson Hysa kujton mbështetjen e Dritan Hoxhës dhe Vajdin Lamaj!

I ftuar në pjesën e parë të emisionit “Ndryshe” me Salsano Rrapi dhe Elona Duro ka qenë kampioni i Europës në WBO, boksieri shkodran Nelson Hysa. Ai renditet në vendin e 11-të në botë për peshat super të rënda, duke vendosur një rekord edhe për këtë sport në vendin tonë. Fitorja e fundit ndaj gjermanit Thorstan Fucks, e cila ishte e 18-ta në karrierë dhe e 16 me K.O, ka bërë që Hysa të ngjitet mes më të mirëve në botë. Në aktivitetin e madh të boksit në Angli ku morën pjesë 2 boksierët shqiptarë, gjithçka ka folur shqip në York Hall Arena të Londrës përpara pak javësh. I kanë mjaftuar vetëm 1 raund e gjysmë Nelson Hysës, për të gjunjëzuar me knockout kundërshtarin e tij për peshat super të rënda, argjentinasin Brakamonte.

Si ndihet ai për këto fitore të rëndësishme në karrierën e tij, por edhe për të gjithë shqiptarët?

Nuk ka qenë vonë. Unë e fillova në kohën e duhur. Besoj që ka ardhur në atë moment që unë isha më mirë fizikisht në të gjithë karrierën time. Është edhe pjekuria që kalova në boksin profesionist dhe u bënë të gjitha bashkë dhe po marrim këto suksese.

Edhe pse fillimet janë gjithmonë të vështira, Nelson Hysa i kujton me shumë përzemërsi, aq më tepër që Elona Duro kishte gjetur një foto të realizuar rreth 25 vite më parë në ndeshjet e para të tij. Bashkë me të në ring ishin edhe të ndjerët Dritan Hoxha dhe Vajdin Lamajt, të cilët kanë qenë presidentët e parë të ekipit të boksit. Lidhur me mbështetjen që ata i kanë dhënë këtij sporti, Nelson u shpreh:

Kanë qenë dy persona që sot nuk jetojnë më. Mirënjohje dhe çdo gjë të mirë për familjet e tyre. Vajdin Lamaj dhe Dritan Hoxha kanë qenë presidentët e parë të ekipit të boksit tonë. Medalja e parë europiane për Shqipërinë, po e them me modesti, ka ardhur prej meje dhe ka ardhur në bashkëpunim me këto dy njerëz të mëdhenj që sot nuk jetojnë. Kemi marrë medaljen e parë në 2002 në Poloni. Kam pasur një mbështetje nga z. Dritan Hoxha dhe z. Vajdin Lamaj. Një mbështetje e pakursyeshme.