Music Ndryshe

Pirro Çako shpërthen në lot: “U bëra gati t’i dërgoja mesazh, u kujtova që s’është më”!

Artisti i mirënjohur Pirro Çako ishte i ftuar në emisionin “Ndryshe” në Top Albania Radio, në një bisedë të veçantë me Elona Duro dhe Salsano Rrapi. Me një karrierë të gjatë dhe të suksesshme në muzikën shqiptare, Pirro Çako vazhdon të mbetet një nga artistët më të dashur për publikun, falë këngëve të tij të ndjera, interpretimit unik dhe kontributit të rëndësishëm në industrinë muzikore ndër vite. Ai ka sjellë projekte që kanë lënë gjurmë në muzikën shqiptare dhe vazhdon të jetë aktiv me krijime të reja artistike. Si kanë qenë fillimet e tij në kompozim?

Kaloja 15 katëshin, ndërtohej atëherë, dhe unë kam qenë në klasë të tretë dhe e mbaj mend që kompozoja gjithë rrugës, duke e menduar dhe kjo ka qenë aspirata ime. Jam shumë krenar. E kam nisur si kompozitor dhe kantautor kam dalë krejt rastësisht. Ti e di shumë mirë që atëherë kantautor ka qenë shfaqje e huaj.

Gjatë intervistës, artisti foli edhe për projektet e tij më të fundit muzikore, duke ndarë emocionet dhe frymëzimin pas këngëve të reja. Një ndër publikimet që ka tërhequr vëmendje është bashkëpunimi me Fifi, me titullin “Të kam në mend”. Kënga është pritur mjaft mirë nga publiku dhe sjell një kombinim të veçantë të stilit emocional të Pirro Çakos me energjinë dhe interpretimin karakteristik të Fifit. Kur ka bërë këtë këngë, më shumë ka folur zemra, apo kanë folur kujtimet?

Mendoj që, të dyja bashkë do të thoja unë sepse ato kanë një lidhje të sinkronizuar. Po të dëgjosh refrenin e këngës, që është një gjë më vete nga kënga, e gjithë melodia të tërheq, është edhe teksti. Prandaj them që janë të dyja në këtë moment, kurse në pjesën e parë gjatë strofave, teksti më ka tërhequr më shumë se sa melodia. Teksti është më shumë tregimtar.

Nëse “Të kam në mend” do të ishte një letër, kujt do t’ia dedikonte atë?

Mamasë sime…(përlotet)