Kanye West ka ngritur akuza serioze ndaj ish-bashkëshortes Kim Kardashian, duke e akuzuar për shkelje të marrëveshjes së kujdestarisë së përbashkët që kanë për katër fëmijët e tyre: North, Saint, Chicago dhe Psalm.
Përmes një letre zyrtare të dërguar nga avokatja e tij Kathy Johnson, Kanye ka paralajmëruar se do ta çojë Kim në gjykatë për sjelljet e saj të fundit.
Reperi pretendon se gjatë pjesëmarrjes në Met Gala në New York, Kim e ka lënë vajzën e tyre 11-vjeçare, North, të vetme në makinë për një kohë të gjatë, gjë që ai e cilëson si të papërgjegjshme.
Për më tepër, ai e akuzon Kim se ka postuar imazhe dhe video të North në TikTok dhe rrjete të tjera sociale, pa pëlqimin e tij, duke e ekspozuar vajzën për përfitime personale apo komerciale.
Kanye shton se nuk ka pasur akses të rregullt te fëmijët e tij këtë vit dhe ndjehet i përjashtuar nga vendimmarrjet prindërore. Ai thotë se nuk e ka parë fare Saint-in këtë vit dhe se kontaktet me fëmijët e tjerë kanë qenë shumë të kufizuara.
Nga ana tjetër, burime pranë Kim Kardashian janë shprehur për mediat se Kanye rrallë ka kërkuar të takojë fëmijët dhe nuk është ndaluar asnjëherë nga ajo për t’i parë kur ka shprehur dëshirën.
Situata mes ish-çiftit është duke u tensionuar gjithnjë e më shumë, dhe Kanye po shqyrton seriozisht mundësinë për të marrë çështjen në dorë të ligjit.