Gjashtë deputetë të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, Albana Vokshi, Flamur Noka, Klevis Balliu, Elda Hoti dhe Fidel Kreka, janë përjashtuar për 30 ditë nga punimet e Kuvendit, pas skenave kaotike në seancën e 18 dhjetorit. PS kishte kërkuar përjashtimin e 29 deputetëve, por Sekretariati i Etikës përfundimisht ka përjashtuar vetëm gjashtë, ndërsa për të tjerët është dhënë masa tërheqje vëmendje.
Mbledhja e sotme, e shtyrë nga fundjava e kaluar u shoqërua me debate mes palëve.
Deputetja e PD-së, Albana Vokshi iu drejtua Ulsi Manjës:
Ulsi të erdhi mesazhi nga Rama? Çfarë të tha të bësh?
Ndërkaq, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi u shpreh opozita po përjashtohet pa arsye.
Na keni quajtur grup të strukturuar kriminal. Por në fakt grup i strukturuar jeni ju. Po përjashtoni opozitën pa asnjë arsye. Ju na thoni që deputet duhet të sillen si deputet, por harroni që anëtarët e qeverisë tuaj sillen si banditë.
Ulsi Manja e pati ndërprerë mbledhjen kur në Facebook-un e Sali Berishës po transmetohej live ndërsa aty nuk ishte lejuar prania e mediave.