Showbiz

“Keeping Up with the Beckhams” familja e famshme zëvendëson Kardashianët

David dhe Victoria Beckham thuhet se kanë rënë dakord që të marrin pjesë në një serial dokumentar në Netflix, i cili thuhet se do të nxjerrë në pah karrierën dhe jetën e tyre.

Netflix nuk ka komentuar rreth këtij lajmi, po ashtu edhe familja Beckham ka qëndruar në heshtje për momentin, por nga ana tjetër asnjë prej tyre nuk i ka mohuar thashethemet e fundit të mediave britanike. Mediat e huaja raportojnë se seriali do të jetë një bashkëprodhim me “Netflix” dhe Studio 99, që zotërohet nga familja Beckham.

Dokumentari, i cili po konsiderohet si “Keeping up with the Kardashians” i ri, do të nxjerrë në pah arkivat e familjes përfshirë fotot dhe kujtimet personale nga karriera e David Beckham, si dhe marrëdhënia e tij me bashkëshorten Victoria bashkë me katër fëmijët e tyre.

Ekipi i xhirimeve do të ndjekë nga pas David, teksa kujdeset për bizneset e tij dhe organizatat e bamirësisë, përfshirë këtu drejtimin e skuadrës së futbollit në SHBA, Inter Miami, investim që e ka bërë së fundmi. Po ashtu në këtë projekt kaq të madh do të marrin pjesë miqtë dhe kolegët e tij, si për shembull komediani James Corden.

Mendohet se Netflix e ka paguar familjen rreth 20 milionë dollarë për ta bërë pjesë të dokumentarit. Tani që ‘Kardashianët’ u larguan nga ekrani, po vjen koha për një tjetër familje, ajo e Beckham-ve.