Këngëtari dhe ish-banori i “Big Brother VIP Albania 4”, Kelly, ishte i ftuar në emisionin “S’e luan Topi”, ku ndau një rrëfim të ndjerë për marrëdhënien me të atin, i cili ka ndërruar jetë disa vite më parë.
Kelly tregoi se babai i tij ishte mbështetësi më i madh në fillimet e karrierës muzikore dhe nuk kurseu asgjë për të përkrahur ëndrrat e të birit.
Mori kredi që unë të realizoja një këngë. Ndoshta nuk e shprehte, por gjithmonë ndieja që ishte shumë krenar për mua
Mes emocionesh, ai foli për dhimbjen e madhe që e ka shoqëruar pas humbjes së të atit, duke zbuluar se ai ndërroi jetë vetëm pak kohë para ardhjes në jetë të djalit të tij, Liamit.
Më ka ngelur peng që nuk arriti të shihte çunin. Do jepja gjithçka për pesë minuta me të, të flisnim si burri me burrin, si prindi me prindin
Ai kujtoi edhe periudhën e vështirë që kaloi gjatë sëmundjes së babait, duke u kujdesur për të në spital për katër muaj rresht, ndërkohë që gruaja e tij ishte shtatzënë. Në atë kohë, ndjente faj për gjithçka:
M’u shemb bota. Mendoja se isha unë fajtori për sëmundjen e tij. Abuzimi me alkoolin, me drogat… Nuk isha shembulli më i mirë
Kelly përfundoi rrëfimin e tij me një mesazh të sinqertë për ndjesën që ndjen edhe sot:
Nuk e di si t’ua shpreh që më vjen keq. Sa herë që shkoj te varri i tij, ia them. Ndoshta nuk është e mjaftueshme, por aq sa kemi në dorë, aq jemi mirënjohës
Moderatorja e emisionit e mbylli me një koment prekës:
Jam e sigurt që të ka falur, Kelly. Prindi ka një dashuri të jashtëzakonshme për fëmijën, edhe kur gabon, edhe kur e mërzit