Me ardhjen e vjeshtës dhe rritjen e çmimeve të energjisë, shumë familje po shtyjnë ndezjen e ngrohjes sa më gjatë. Por netët më të ftohta shpesh e bëjnë më të vështirë gjumin, në fillim ndihesh i ftohtë, ndërsa më vonë zgjohemi duke u djersitur. Ekspertja e gjumit, Phoebe Street, dhe Dr. Gareth Nye, ligjërues në Universitetin e Salford, shpjegojnë pse ndryshimet sezonale e prishin gjumin dhe japin disa këshilla të bazuara në shkencë për të fjetur më mire gjatë vjeshtës.
Pse vjeshta ndikon në gjumin tonë?
Ditët më të shkurtra dhe mungesa e dritës gjatë vjeshtës dhe dimrit ndikojnë te gjumi, ritmi biologjik dhe prodhimi i melatoninës, hormonit që i tregon trupit të flejë. Kur zgjohemi ende në errësirë, trupi ynë përpiqet të përshtatet, prandaj ndihemi më të lodhur gjatë ditës. Temperaturat e ftohta ndihmojnë për gjumë më të mirë, por uljet e papritura të temperaturës mund të shqetësojnë trupin duke shkaktuar dridhje. Mungesa e gjumit ndikon te humori, por edhe humori i ulët mund të prishë gjumin. Depresioni sezonal lidhet pjesërisht me mungesën e diellit, e cila ul serotoninën dhe vitaminën D. Duart dhe këmbët ndihmojnë trupin të rregullojë temperaturën. Kur janë të ftohta, bëhet më e vështirë të relaksoheni dhe të flini.
Vishni çorape, përdorni një shishe me ujë të ngrohtë në fund të shtratit ose fërkoni duart për të përmirësuar qarkullimin e gjakut. Dhoma më e ftohtë ndihmon gjumin; temperatura ideale është 16–18°C. Përdorni një shishe me ujë të ngrohtë ose batanije elektrike për disa minuta para se të shkoni në shtrat, për të ngrohur çarçafët pa e mbinxehur dhomën. Evitoni përdorimin e pajisjve elektronike gjatë natës. Dritat artificiale dhe ekranet pengojnë prodhimin e melatoninës dhe mund të prishin ritmin e trupit.
Shmangni telefonin dhe televizorin një orë para gjumit, përdorni ndriçim të butë në mbrëmje dhe përpiquni të merrni dritë natyrale në mëngjes. Një batanije shumë e trashë mund t’ju ngrohë në fillim, por më vonë shkakton djersitje dhe ftohje të shpejtë. Përdorni disa shtresa të lehta që mund t’i hiqni ose shtoni gjatë natës. Kombinimi i një jorgani të hollë dhe një batanije frymëmarrëse është ideal. Materialet sintetike mbajnë nxehtësi dhe lagështinë, duke prishur gjumin. Një dush i ngrohtë ngroh trupin, dhe më pas kur ftohet pak, sinjalizon trurit se është koha për gjumë. Kjo ndihmon të flini më shpejt dhe më rehat. Lagështia e lartë nga tharja e rrobave brenda ose moti i lagësht e bën dhomën më të ftohtë. Mbani pak hapur një dritare për ajrosje për të ulur lagështinë dhe për të mbajtur dhomën më të ngrohtë dhe rehat.