Pas disa muajsh pa lënë asnjë gjurmë, peshkaqeni i bardhë gjigant i njohur si “Contender” është rishfaqur në Oqeanin Atlantik. Organizata amerikane OCEARCH, e specializuar në studimin e grabitqarëve të mëdhenj detarë, konfirmoi se kafsha ka transmetuar sërish një sinjal përmes pajisjes satelitore që mban në trup, pranë bregut lindor të Shteteve të Bashkuara.
“Contender” u identifikua për herë të parë rreth një vit e gjysmë më parë dhe konsiderohet peshkaqeni i bardhë mashkull më i madh i regjistruar ndonjëherë. Ai ka një gjatësi prej 4.2 metrash dhe peshon rreth 750 kilogramë, përmasa që krahasohen me ato të një automjeti të vogël.
Gjatë vitit të fundit, grabitqari ka përshkuar mijëra kilometra përgjatë brigjeve të Atlantikut të Amerikës së Veriut, duke kaluar pranë New Jersey-t, Massachusetts-it, Karolinave dhe ujërave kanadeze, në përputhje me rrugët migratore të zakonshme të peshkaqenëve të bardhë. Megjithëse sinjali i fundit konfirmoi se “Contender” vazhdon të jetë aktiv në Atlantikun e Veriut, ai nuk dha koordinata të sakta për vendndodhjen e tij. Ekspertët theksojnë se ky individ është i veçantë, pasi tejkalon ndjeshëm gjatësinë mesatare të peshkaqenëve të bardhë meshkuj, e cila është rreth 3.5 metra. Edhe pse femrat mund të arrijnë deri në 6 metra gjatësi, një mashkull me këto përmasa është jashtëzakonisht i rrallë.
Sipas Listës së Kuqe të Bashkimit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës, peshkaqeni i bardhë konsiderohet një specie e kërcënuar për shkak të mbipeshkimit, kapjes aksidentale dhe tregtisë së paligjshme të dhëmbëve, nofullave dhe pendëve të tij. Shkencëtarët theksojnë se çdo sinjal i dërguar nga “Contender” është me rëndësi të madhe për studimin e sjelljes së kësaj specieje, e cila luan një rol kyç në ruajtjen e ekuilibrit të ekosistemeve detare.