Këshilli i Sigurisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka thirrur sot një mbledhje të jashtëzakonshme për të diskutuar situatën në lidhje me Iranin.
Kjo mbledhje urgjente synon të vlerësojë zhvillimet e fundit dhe të shqyrtojë mënyrat për t’u përballur me sfidat që lidhen me veprimet e Iranit, duke pasur parasysh ndikimin e tyre në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
Skretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, ka deklaruar se është “thellësisht i alarmuar nga përdorimi i forcës nga Shtetet e Bashkuara kundër Iranit”.
Ai i konsideroi sulmet e Uashingtonit ndaj objekteve bërthamore të Iranit “një përshkallëzim të rrezikshëm në një rajon që tashmë është në buzë të tensioneve dhe një kërcënim të drejtpërdrejtë për paqen e sigurinë ndërkombëtare”.
Guterres paralajmëroi për një rrezik në rritje që konflikti të dalë shpejt jashtë kontrollit, sipaas tij, me pasoja katastrofike për civilët, rajonin dhe botën.
Ai u bëri thirrje shteteve anëtare të OKB-së që të ulin tensionet dhe të përmbushin detyrimet e tyre sipas Kartës së OKB-së, si edhe rregullave të tjera të së drejtës ndërkombëtare.
“Në këtë orë të rrezikshme”, shtoi Guterres, “është thelbësore të shmanget një spirale kaosi. Nuk ka zgjidhje ushtarake. E vetmja rrugë përpara është diplomacia. E vetmja shpresë është paqja.”
Von der Leyen thërret mbledhje të Komisionerëve për të mërkurën
Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka njoftuar se do të thërrasë një mbledhje të Kolegji të Komisionerëve të mërkurën për të diskutuar eskalimin e konfliktit në Lindjen e Mesme dhe ndikimet e tij mbi Evropën.
“Të mërkurën do të mbajmë një mbledhje të Kolegjit për Sigurinë, ku do të fokusohemi te përkeqësimi i situatës në Lindjen e Mesme dhe pasojat e saj për Evropën,” tha liderja evropiane në një mesazh në rrjetet sociale.
Von der Leyen kishte thirrur për herë të parë një mbledhje të tillë më 9 maj, me qëllim vlerësimin e situatës së sigurisë së brendshme dhe të jashtme të Bashkimit Evropian.