Auto & Moto

Këto vende janë në garë për çmimin “Makina Botërore e Vitit”!

Finalistët për çmimet prestigjioze World Car Awards 2026 janë shpallur, me makinat elektrike që dominojnë pothuajse çdo kategori. Fituesit do të zbulohen më 1 prill gjatë panairit ndërkombëtar New York Auto Show. Në garën për “World Car of the Year” përballen BMW iX3, Hyundai Palisade dhe Nissan Leaf, duke ofruar një kombinim interesant mes SUV-ve dhe një EV-je të përballueshme. BMW iX3 spikat me performancë të lartë dhe autonomi të madhe, ndërsa Nissan Leaf mbetet një zgjedhje ekonomike me rreze solide lëvizjeje. Në kategorinë “World Electric Vehicle”, iX3 dhe Leaf do të përballen me Mercedes-Benz CLA elektrik.

Ndërkohë, në segmentin luksoz rivalizojnë Cadillac Vistiq, Lucid Gravity dhe Volvo ES90. Edhe në kategorinë e performancës përfshihet një model elektrik, Hyundai Ioniq 6 N, që sfidon modelet tradicionale sportive. Këto nominime tregojnë qartë se industria automobilistike po lëviz me shpejtësi drejt elektrifikimit, ndërsa gara për titujt kryesorë pritet të jetë më e fortë se kurrë.

Ndërkaq, Komisioni Evropian do të publikojë në muajin dhjetor një kategori të re rregullatore për automjete të vogla elektrike të përballueshme, me qëllim që të mundësohet prodhim dhe shitje më e lirë e automjeteve elektrike me çmim midis 15 mijë dhe 20 mijë eurosh. Komisioneri Evropian për Industrinë, Stephane Sejourne, e konfirmoi këtë gjatë Ditëve të Industrisë Automobilistike në Paris. Presidentja e KE, Ursula von der Leyen, ka të ngjarë që në dhjetor të njoftojë ndarjen e automjeteve të lehta komerciale nga automjetet personale për arritjen e objektivave të emisioneve të CO2 për vitet 2030 dhe 2035.

Përveç kësaj, Komisioni po punon për të përcaktuar se çfarë konsiderohet automobil evropian me ndikim afatgjatë mbi prodhuesit dhe furnizuesit në industrinë automobilistike. Është e rëndësishme të merren masa më të ofensiva, sepse nëse nuk bëhet asgjë, sipas Stéphane Séjourné, prodhimi i makinave do të vazhdojë të bjerë dhe veçanërisht pjesa e furnizuesve evropianë do të ulet shumë shpejt, nga 70 për qind në 50 për qind.