Ylli i muzikës pop, Britney Spears, është sërish në qendër të vëmendjes, pasi ish-bashkëshorti i saj, Kevin Federline, ka bërë publike fragmente nga libri i tij i kujtimeve, ku përshkruan momente të errëta nga martesa me këngëtaren.
Botimi ka ngjallur debate të forta, veçanërisht pasi vjen vetëm pak kohë pasi kanë përfunduar pagesat e mbështetjes financiare që Spears i bënte për fëmijët e tyre.
Sipas The New York Times, Federline pretendon se gjatë martesës, Spears kishte sjellje të çuditshme dhe shqetësuese ndaj djemve të tyre, Sean Preston dhe Jayden James.
Në një nga pasazhet më të përfolura të librit, ai shkruan:
Djemtë zgjoheshin ndonjëherë natën dhe e gjenin atë duke qëndruar në heshtje te dera, duke i parë teksa flinin. Ajo thoshte, ‘Oh, je zgjuar?’ — me një thikë në dorë. Pastaj largohej pa shpjegime.
Federline thotë se gjatë asaj periudhe jetonte me frikë për fëmijët:
Duket sikur po shkojmë drejt diçkaje të pakthyeshme. Ora po ecën dhe frika ime më e madhe është se djemtë tanë do të mbeten duke mbajtur copat e kokës. Është e pamundur të pretendosh se gjithçka është në rregull
-shkruan ai.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Britney Spears kanë hedhur poshtë pretendimet e Federline, duke i cilësuar si të motivuara nga interesat financiare.
Në një deklaratë për E! News, zëdhënësi i saj tha:
Meqë libri i Kevin sapo ka dalë në shitje, ai po përfiton duke shfrytëzuar emrin e Britney-t. Për më tepër, kjo ndodh menjëherë pasi përfundoi mbështetja financiare për fëmijët. Britney ka një qëllim të vetëm — mirëqenien e Sean Preston dhe Jayden James — dhe nuk do të përfshihet në këtë sensacionalizëm.
Spears, e cila shpesh ka zgjedhur të reagojë përmes rrjeteve sociale, publikoi një mesazh simbolik më 14 tetor, duke ndarë një foto të oqeanit me mbishkrimin:
Ndero nënën dhe babanë tënd, por mbroje gjithmonë zemrën tënde. Nderoji vetëm nëse të kanë nderuar në mënyrë të shenjtë! Nëse jo, gjej një familje të re.
Që nga përfundimi i kujdestarisë ligjore me babain e saj në nëntor 2021, Spears ka pasur kontakte të kufizuara me familjen dhe ish-bashkëshortin.
Botimi i kujtimeve të Federline ka rikthyer në vëmendje dinamikat e tensionuara të familjes, ndërsa fansat e këngëtares e kanë mbrojtur atë në rrjete, duke e cilësuar librin si një “sulm të panevojshëm” ndaj një gruaje që ka kaluar trauma publike.