Aktualitet Sport

KF Vllaznia kërkoi anulimin e koncertit në stadium, Kryebashkiaku Beci: Ekipi do t’i luajë ndeshjet europiane tek ‘Loro Boriçi’

Pasi KF Vllaznia i dërgoi një kërkesë zyrtare Bashkisë Shkodër, ku kërkohej që të anulohej koncerti recital i këngëtarit Bujar Qamili i cili është planifikuar për në datën 21 qershor në stadiumin “Loro Boriçi”, ka ardhur një reagim nga Bashkia Shkodër.

Kryetari i Bashkisë Benet Beci deklaroi se Vllaznia do t’i zhvillojë ndeshjet europiane në stadiumin “Loro Boriçi”. Ai i garantoi atyre se Bashkia Shkodër nuk do të cënojë në asnjë rast ecurinë e ekipit.

‘Me disa tifozë të Vllaznisë, që nuk janë ndarë asnjëherë nga ngjyrat kuqeblu simbol i qytetit. Një bisedë miqësore, ku i garantova ata, dhe nëpërmjet tyre të gjithë tifozët, se Vllaznia do t’i zhvillojë ndeshjet europiane në shtëpinë e vet, në stadiumin “Loro Boriçi”. Bashkia Shkodër nuk do të cënojë në asnjë rast ecurinë e ekipit, por do të vazhdojë të mbështesë ngjyrat kuqeblu, ashtu si gjithmonë’, tha ai.

LEXO EDHE: Shqipëria Live/ “Do ta hedh në gjyq bashkinë”, paralajmëron presidenti i Vllaznisë: Na e kanë marrë stadiumin për koncerte

Reagimi i plotë i Vllaznisë, e martë 17 qershor:

Klubi i Futbollit Vllaznia konstaton me shqetësim sjelljen aspak dashamirëse të Bashkisë Shkodër ndaj zhvillimit të futbollit ku me veprimet e saj të cilat kulmuan së fundmi me organizimin e një aktiviteti të pakuptimtë që ka sjell indinjate, zemërim tek tifozët shkodran dhe faktkeqësisht duke i ndarë qytetarët shkodranë në opinione dhe mendime të ndryshme!

Publikimi i njoftimit për koncert recital nga kryetari Bashkisë Shkodër dhe një deklaratë për shtyp nga ky institucion në orën 22.00 të mbrëmjes së djeshme, janë sjellje të denja më tepër për një subjekt privat sesa të një organi publik dhe mbulon më tepër me mister në lidhje me arsyet që e shtyjnë në emergjencë dhe me çdo kusht Bashkinë Shkodër në këtë aktivitet të paligjshëm në dëm të futbollit!

Përsa më sipër, larg retorikave boshe ku nuk citoni në asnjë deklaratë asnjë reference ligjore dhe për transparencë dhe informim me publikun i kërkojmë Bashkisë Shkodër t’i tregojë qytetarëve shkodranë:

1) Sa është fondi i aprovuar nga Bashkia Shkodër dhe procedura e realizuar për shpenzimin e fondit të akorduar për organizimin e koncertit recital të planifikuar?

2) Cila është data dhe numri i Vendimit të Këshillit Bashkiak që ndryshon destinacionin e përdorimit të stadiumit për aktivitete sportive sipas VKM 421, datë VKM nr.421 datë 2 Qershor 2010 për “Përdorim dhe administrim nga Bashkia Shkoder për aktivitete sportive“ në “Perdorim për koncerte dhe orkestra frymore“???

3) Cila është data dhe numri i Vendimit të Këshillit Bashkiak që autorizon Bashkinë Shkodër të japë pa pagesë stadiumin “Loro Boriçi” për këtë aktivitet artistik???

Duke mbetur në pritje të përgjigjes tuaj publike përballë qytetarëve, jemi të vendosur të parandalojmë këtë paligjshmëri me çdo mjet ligjor!