Kim Kardashian po hap një kapitull të ri në karrierën e saj të aktrimit, teksa është konfirmuar si antagonistja kryesore në filmin e ardhshëm “Bratz” me aktorë të vërtetë.
Burime për TMZ bëjnë të ditur se Kim jo vetëm që do të interpretojë rolin e “të keqes”, por do të jetë edhe producente e filmit – duke pasur fjalën e fundit për drejtimin krijues të projektit.
Filmi është siguruar nga Amazon MGM pas një gare të fortë mes studiosh të mëdha.
Në këtë projekt, Kim bashkëpunon me producentët Erik Feig dhe Julia Hammer nga kompania Picturestart, si dhe me Jason dhe Jasmin Larian të MGA Entertainment. Ndërkohë, themeluesi i MGA, Isaac Larian, është përfshirë si producent ekzekutiv.
Skenari aktualisht po shkruhet nga Charlie Polinger dhe Lucy McKendrick, ndërsa përmbajtja e tij po mbahet ende sekret. Megjithatë, gjithçka duket si një përpjekje për të ndjekur suksesin marramendës të filmit “Barbie” në arkë.
Kim Kardashian është përfshirë thellë në botën e aktrimit kohët e fundit – aktualisht ajo po prodhon dhe luan në filmin e Netflix-it “The Fifth Wheel” dhe është protagoniste në dramën e re të Ryan Murphy për Hulu, “All’s Fair”.
Me këtë projekt të ri, Kim pritet të sjellë në ekran një personazh të mbushur me stil, fuqi dhe intriga – dhe ndoshta do t’i bëjë vetë kukullat Bratz të duken më pak “trendy” përballë saj.