Në një lidhje të drejtpërdrejtë për “Live From Tirana”, ka qenë korrespondenti i Top Channel Klodian Zhivani nga fshati turistik i Thethit, ku po zhvillohen përplasje mes banorëve të zonës dhe forcave policore, kundër prishjes së objekteve pa leje. Ja si është momentalisht situata…
Kjo është dita e tretë e aksionit të policisë së shtetit për të shembur banesat dhe bujtinat e banorëve, shoqëruar me protesta dhe me bllokim të urës, rruga hyrëse për në Theth. Banorët e Thethit kanë bllokuar urën, duke mos lejuar policinë të futet për në Theth, për rreth dy orë me radhë. Ata kanë kërkuar një komunikim direkt me përfaqësues të qeverisë, për të gjetur një zgjidhje të mesme, për të ndërtuar, për të pritur turistët dhe për të zhvilluar turizmin në vend. Ata janë të vetëdijshëm që nuk mund të vazhdohet të ndërtohet pa kriter, por kërkojnë një model se si të ndërtohet në Theth, një plan zhvillimi brenda të cilit të qëndrojnë të gjithë dhe të jenë korrekt me ligjin. Ndërkaq, kundërshtojnë faktin që kjo ndërhyrje po bëhet në kulmin e sezonit turistik. Ata pranojnë se ndërtimet janë bërë pa leje, por presin dhe kërkojnë nga qeveria një afat deri pas sezonit turistik dhe pastaj të vijojë aksioni i IKMT për prishjen e ndërtimeve. Pak minuta më parë ka pasur një dakordësi për lejimin e policisë për t’u futur në Theth. Edhe policia e shtetit, edhe IKMT janë brenda Thethit, por nuk po fillon aksioni sepse po pritet një tjetër urdhër nga Tirana.
Banorët janë të vetëdijshëm që kanë ndërtuar pa leje, sepse ata kanë kërkuar herë pas here në Bashki, por dhe në Tiranë leje ndërtimi, të cilat janë refuzuar për shkak të planit urban dhe planit të Thethit. Nuk është miratuar dhe në këto kushte, dikush ka ndërtuar struktura druri, por ka dhe struktura të shumta betoni.
Si është situata tani, vazhdon e agravuar mes banorëve dhe IKMT?
Përkundrazi, është shumë e mirë. Nuk ëdhtë komike, por aq sa dhe për të treguar mikpritjen malësore… pavarësisht protestës, tensioneve me policinë, ata herë pas here u kanë deklaruar edhe drejtuesve të policisë se nuk kanë gjë me ta, thjesht presin një përfaqësues nga Tirana. Dhe në momentin që ranë dakord që policia të futet në Theth, po rrinë bashkë me njëri-tjetrin.