Më shumë njerëz pritet të udhëtojnë me avion në vitin 2025 se kurrë më parë, me 5.2 miliardë pasagjerë që parashikohet të bëjnë të paktën një fluturim midis janarit dhe dhjetorit, një rritje vjetore 6.7%, sipas Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror (IATA).
Dhe nuk ka shenja ngadalësimi. Që kur trafiku global ajror u rikthye në nivelet para pandemisë në vitin 2024, udhëtarët janë gjithnjë e më të etur për të bërë udhëtime me avion. IATA parashikon që numri i pasagjerëve të linjave ajrore në nivel global, të rritet me një mesatare 3.8% në vit gjatë dy dekadave të ardhshme.
Me konsiderata të shumta, duke përfshirë çmimin, disponueshmërinë, mbipopullimin dhe distancën për të udhëtuar, shumë udhëtarë mbeten të pasigurt për kohën më të mirë për të rezervuar fluturime. Për këtë, platforma e udhëtimit Lonely Planet është këshilluar me ekspertë të fushës, për të ndihmuar sado pak ata që duan të rezervojnë bileta fluturimi.
Planifikoni mirë përpara
Këshillohet të kërkoni fluturime sapo ato të publikohen, gjë që është 10 deri në 12 muaj para nisjes për të gjitha llojet e fluturimeve, sipas agreguesit të kërkimit të udhëtimeve dhe agjencisë së udhëtimeve Skyscanner.
Megjithatë, meqenëse linjat ajrore monitorojnë nga afër kërkesën, çmimet mund të bien ndërsa afrohet nisja, nëse shiten më pak vende nga sa parashikohet, si për shembull në një ditë udhëtimi jashtë orarit të pikut ose në një itinerar më pak të përdorur. Anasjelltas, linjat ajrore përshtatin kapacitetin për itinerare, që rezultojnë më të preferuara ose madje mund të lançojnë itinerare të reja.
Rezervoni ditën e dielë
Ekziston një mendim se e marta është dita më e mirë për rezervimin e fluturimeve, pasi linjat ajrore zakonisht publikojnë tarifa të reja të hënave, por hulumtimet nga Expedia e hedhin poshtë plotësisht këtë ide. Duke rezervuar të dielën, udhëtarët mund të kursejnë 6% për udhëtimet brenda vendit dhe 17% për udhëtimet ndërkombëtare krahasuar me rezervimin të hënën ose të premten, ditët më të shtrenjta për të rezervuar.
Merrni në konsideratë ku po shkoni
Bazuar në modelet historike, Skyscanner rekomandon rezervimin 1 deri në 3 muaj përpara për fluturime me distanca të shkurtra (më pak se 3 orë) dhe 2 deri në 6 muaj përpara për fluturime me distanca të gjata (më shumë se 6 orë). Raporti i Expedia-s për 2025 vëren se dritarja ideale e rezervimit për një fluturim brenda vendit është 34 deri në 86 ditë përpara, gjë që do të sillte kursime 25% krahasuar me një rezervim në minutën e fundit.
Edhe më herët për pushime
Expedia këshillon të përgatiteni shumë përpara për udhëtim gjatë festave, të cilat “gjithmonë sjellin rritje të paparë të udhëtimeve”. Rritja e punës hibride dhe asaj në distancë, e cila u lejon udhëtarëve më shumë fleksibilitet kur fluturojnë gjatë festave si Krishtlindjet, po ndikon gjithashtu në modelet e blerjes.
Dhe nuk janë vetëm festat kryesore për t’u marrë në konsideratë. Eshtë më mirë të kontrolloni nëse ndonjë festë kombëtare, fetare ose sezonale do të festohet në pikën tuaj të nisjes ose të mbërritjes kur planifikoni të udhëtoni, pasi këto raste mund të rrisin çmimet duke kontribuar në mbipopullim dhe më pak disponueshmëri.
Në fund të fundit, nëse udhëtoni gjatë një periudhe festash dhe keni fleksibilitet të kufizuar ose aspak fleksibilitet në datat e udhëtimit tuaj, ekspertët rekomandojnë të rezervoni sa më herët të jetë e mundur, për të siguruar fluturimet që dëshironi dhe për të shmangur zhgënjimin ose vështirësitë e udhëtimit. / shqip.al