Zgjedhja e vendit në aeroplan nuk është vetëm çështje preferencash – për pasagjerët që ndihen nervoz gjatë fluturimeve, ajo mund të ndikojë ndjeshëm në përvojën e udhëtimit.
Për këtë arsye, The Wedding Travel Company ka bashkëpunuar me Jane Hawkes, ish-stjuardese e British Airways dhe eksperte e udhëtimeve, për të ndarë këshilla të vlefshme mbi vendet më të përshtatshme dhe ato që duhen shmangur.
Ku duhet të uleni për një fluturim më të qetë?
Sipas Hawkes, vendet më të rekomanduara janë ato në pjesën e përparme të avionit, veçanërisht ato pranë murit ndarës të kabinës (bulkhead). Këto vende ofrojnë disa përparësi të rëndësishme:
–Nuk ka pasagjerë përpara që të ulin sediljen dhe të kufizojnë hapësirën tuaj.
-Hapësira më e madhe për këmbët i bën ideale për fluturime të gjata.
-Ushqimi dhe pijet shërbehen më herët.
-Zbritja dhe hipja në avion bëhen më shpejt.
-Lëkundjet ndihen më pak, duke qenë se pjesa e përparme është më e qëndrueshme.
Vendet që duhen shmangur
Ekspertja sugjeron të shmangen vendet në pjesën e pasme të avionit, për disa arsye të qarta:
-Pjesa e pasme përjeton më shumë turbulenca.
-Afërsia me tualetet mund të jetë e pakëndshme për shkak të aromave.
-Lëkundjet janë më të forta, çka është problem për ata që vuajnë nga të përzierat.
Për këtë arsye, nëse jeni të ndjeshëm ndaj lëkundjeve ose ndiheni të shqetësuar gjatë fluturimeve, zgjedhja e një vendi sa më përpara në avion mund të bëjë diferencën.
Mos harroni higjienën
Pavarësisht vendndodhjes në avion, Hawkes rekomandon që pasagjerët të mbajnë me vete dezinfektues dhe peceta të lagura.
Sipas saj, aeroplanët nuk pastrohen në mënyrë të thelluar pas çdo fluturimi – ndaj është e rëndësishme të pastroni zonat që prekni, si tavolinat, rripat e sigurimit dhe dorezat.
Në fund të fundit, një vend i zgjedhur me kujdes dhe disa masa higjiene mund të ndihmojnë për ta bërë udhëtimin më të rehatshëm dhe të sigurt.