Aktualitet

Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkon gjyqtarin Besnik Shehu, probleme në 3 shtyllat e vlerësimit!

Sot Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar përfundimisht nga detyra gjyqtarin e Korçës, Besnik Shehu, duke lënë në fuqi kështu vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Mimoza Tasi relatore, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 24/2023, datë 05.06.2023, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Besnik Shehu kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 641, datë 06.04.2023.

LEXO EDHE: BE certifikon Vettingun dhe SPAK/ Deklarata në Tiranë, vlerësim për negociatat, politikën e jashtme. Ka edhe detyra

Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:

Lënien në fuqi të vendimit nr. 641, datë 06.04.2023 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Besnik Shehu.

Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

LEXO EDHE: Neglizhuan pacienten shtatzënë duke çuar në humbjen e jetës së një foshnjeje, Prokuroria e Tiranës merr të pandehura dy mjeke…

U shpall sot, në Tiranë, më datë 29.10.2025”,- thuhet në njoftimin zyrtar.
Shehu nuk plotësonte 2 kriteret, atë të pastërtisë së figurës dhe profesionalizmin.

Gjithashtu, KPK konstatoi bilanc negativ në vlerën 12.3 milionë lekë për pasurinë e gjyqtarit Shehu, si dhe ngriti dyshime për një transaksion fiktiv me qëllim justifikimin e burimeve të ligjshme në krijimin e pasurive dhe mbulimin e shpenzimeve. Shehu ishte kundër dhe kërkoi çeljen e hetimit në dy kriteret e tjerë të rivlerësimit kalimtar, kërkesë që u rrëzua.

Besnik Shehu e filloi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe punoi prej më shumë se dy dekadash si gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë.