Kolegji Zgjedhor vendosi sot të rrëzojë kërkesën e paraqitur nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”, për shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në Bashkinë Kamëz, ku fitues rezultoi Rakip Suli i Partisë Socialiste.
Kolegji Zgjedhor shqyrtoi kërkesën e paraqitur nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”, që pretendonte shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në zonën zgjedhore Bashkia Kamëz. Po ashtu, koalicioni “Bashkë Fitojmë” kërkonte ekspertë të huaj për shqyrtimin e funksionimit të pajisjeve elektronike, krahasimin e rezultatit elektronik me atë fizik si dhe hapjen e kamerave të sigurisë të vendosura ditën e votimit.
Kolegji Zgjedhor pasi dëgjoi pretendimet vendosi rrëzimin e kërkesave të paraqitur nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”. Kështu, rezultati përfundimtar në Bashkinë Kamëz, ku votimi dhe numërimi ishin elektronik nxori fitues Rakip Sulin e Partisë Socialiste me mijëra vota diferencë ndaj kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Arjan Hoxha.
Për të kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve në Kamëz ku u votua dhe u numërua elektronikisht e fitoi socialisti Rakip Suli, më 18 maj, Forumi Rinor pranë Koalicionit “Bashkë Fitojmë” protestoi para Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Protestuesit i drejtoi kandidati i “Bashkë Fitojmë” për Kamzën, Arjan Hoxha i cili hodhi akuza se rezultati i 14 Majit ishte i manipuluar dhe i programuar në votimin elektronik për bashkinë që është pjesë e qarkut Tiranë.
Në Kamëz ka prova nga më të ndryshmet. Nuk ka ndodhur që në të gjitha qendrat e votimit kandidati të dalë humbës. Rezultati ishte i paracaktuar. Si ka mundësi? Çfarë ndodhi në Kamëz që këto vota u përmbysën në krahun e kundërt? Kjo është formulë dhe rezultat i paracaktuar. Në Kamëz e ndjejnë veten të tradhtuar e asnjë nuk ndihet i përfaqësuar me vullnetin dhe votën e lirë.
Në lidhje me provat, Hoxha deklaroi se ka disa pamje filmike, shkëmbime në komunikim mes individëve.
Votova Hoxhën e më doli Suli. Kishte disa që thonin: nuk votova se nuk punoi. Ata bënin dorëzim të kontrolluar me patronazhistë. Shumë vota janë klikuar nga operatorët dhe jo nga votuesit. Shoqërimin e kanë bërë ata që ishin jashtë. Dhe unë jam lejuar vetëm t’i përshëndes e të qëndroj larg.
Në rezultatin e votimeve elektronike në Kamëz, Rakip Suli u shpall fitues me 27 mijë e 926 vota, ndërsa Arjan Hoxha arriti të merrte vetëm 16 mijë e 341.