Rusia është tronditur nga zbulimi se presidenti rus, Vladimir Putin ishte në ajër, duke fluturuar me një helikopter mbi rajonin e Kurskut, kur ndodhi një sulm i rëndë nga dronë ukrainas, sipas mediave ruse.
Sipas komandantit të mbrojtjes ajrore rajonale, Yuri Dashkin, intensiteti i sulmit u rrit ndjeshëm në momentin kur helikopteri i Komandantit Suprem po fluturonte mbi zonë.
Ai pretendoi se “helikopteri i presidentit ishte në thelb, në epiqendrën e sulmit të zmbrapsur”. Deri tani nuk ka raportime për ndonjë lëndim të presidentit rus.
LEXO EDHE: REL: Mark Rutte përballet me testin e parë të madh në NATO
Gjatë operacionit, forcat ruse pretendojnë se kanë rrëzuar gjithsej 46 dronë ukrainas.
Informacioni nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Kremlini, por i shtohet një serie raportimesh në ditët e fundit që pasqyrojnë tensionin në rajonin e Kurskut, pas marrjes së territorit nga forcat ruse. Vetë Putin vizitoi së fundmi zonën, njoftoi Kremlini të mërkurën.
Putini vizitoi rajonin e Kurskut më 20 maj, ku u takua me vullnetarë, krerë komunash dhe guvernatorin në detyrë, Alexander Khinshtein. Kjo ishte vizita e tij e parë që nga çlirimi i rajonit kufitar më 26 prill.
Njësitë ruse të mbrojtjes ajrore rrëzuan dronë të drejtuar për në Moskë gjatë natës. Kufizime u vendosën fillimisht dhe më pas u hoqën në aeroportet Domodedovo e Zhukovsky të kryeqytetit rus, si dhe në Kaluga. Baza ajrore Migalovo në rajonin Tver të Rusisë u sulmua gjithashtu nga dronët ukrainas gjatë natës, referuar mediave vendase. Autoritetet rajonale thanë se tetë avionë pa pilotë u rrëzuan në zonë.