Në Kosovë, sot u regjistrua përpjekja e 43-të e pasuksesshme e deputetëve të zgjedhur për të konstituuar Kuvendin. Ashtu si herët e kaluara, partitë opozitare përfshirë PDK-në, LDK-në, AAK-në, Nismën dhe Listën Serbe, refuzuan të propozojnë anëtarë për komisionin që do të organizonte votimin e fshehtë për kryeparlamentarin, duke e konsideruar këtë proces si të papajtueshëm me Kushtetutën.
Në votim të hapur, kundërshtuan disa herë radhazi emërimin e Albulena Haxhiut nga Lëvizja Vetëvendosje në këtë pozitë. Vetëvendosje që fitoi shumicën e votave në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, këmbëngul se votimi i fshehtë është legjitim dhe kërkon të ecet përpara.
Në seancën e sotme që zgjati vetëm pak minuta, deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së dolën në foltore për t’i bërë thirrje Vetëvendosjes t’i japë fund, atij që e quajtën “cirk politik”, çka shtyu kryesuesin e seancës, Avni Dehari, të kërkojë ndërprerjen e fjalës së tyre.
Skenar i ngjashëm u zhvillua edhe në seancën e parafundit më 5 korrik, kur u mbajt me disa orë vonesë, për shkak të një kërcënimi me bombë në Kuvend dhe që doli alarm fals.
Para seancës, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, tha se një nga pasojat e mosrepsektimit të vendimit të Kushtetueses në afat, mund të jetë marrja e mandatit të deputetëve.
Nuk ka ndodhur ende që në një legjislaturë të merret mandati i të gjithë deputetëve të Kuvendit, por janë 120 deputetë të legjislaturës së 9-të, që mund t’iu merret mandati dhe të vazhdohet pastaj me deputetët që janë në listat e të gjitha partive politike.
Ndër të tjera vuri në dukje se Gjykata Kushtetuese ka treguar procedurën e konsitutimit të Kuvendit dhe sipas saj, asnjëra formë e votimit nuk është e përjashtuar.
Tani ose mundet Gjykata ta sqarojë aktgjykimin e vet, të vijë me instruksione, gjegjësisht me shpjegime shtesë, apo partitë mund të dakordohen që ta konstituojnë Kuvendin vetëm sa për ta shpërndarë dhe për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. Zgjidhje tjetër nuk shoh, u shpreh Mimoza Kusari Lila.
Javën e kaluar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ftoi në takim përfaqësuesit e partive politike për të diskutuar opsionet për dalje nga kriza. Kryetarja e shtetit përmendi edhe mundësinë që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë.