Aktualitet

Kontrolle në burgun e Fierit, sekuestrohen drogë, telefona dhe alkool!

Drogë, telefona dhe alkool u gjetën gjatë kontrolleve në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Fier. Kontrollet u kryen në kuadër të masave për forcimin e sigurisë dhe parandalimin e futjes së sendeve të ndaluara në ambientet e burgut.

Në mjediset e institucionit, pranë Godinës “A”, u konstatuan dhe sekuestruan 10 telefona celularë, 10 karikues, si dhe disa bidona me përmbajtje të dyshuar alkoolike. Po ashtu, në dy vende të ndryshme u gjet lëndë e dyshuar narkotike.

Në një rast tjetër brenda të njëjtit institucion, gjatë kontrollit me skaner ndaj të dënuarit A.M., janë konstatuar pesë qese të vogla me lëndë të dyshuar narkotike, të fshehura në rroba.

Pas konstatimit, i dënuari është shoqëruar në sektorin e veçimit, ndërsa drejtuesit e institucionit janë vënë në dijeni për vijimin e hetimeve dhe masave administrative e ligjore.