Deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan sot për herë të 21-të radhazi ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit. Dështimi për ta bërë funksional Parlamentin e ri ka zhytur vendin në një ngërç politik duke e lënë atë edhe pa qeveri të re, kur kanë kaluar më shumë se tre muaj nga mbajtja e zgjedhjeve.
Dështimet e njëpasnjëshme po ndodhin pavarësisht thirrjeve nga brenda dhe jashtë vendit për të lëvizur përpara me krijimin e institucioneve në Kosovë. Sot, ligjvënësit refuzuan për të trembëdhjetën herë rresht ta formonin një komision për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kreun e ri të organit legjislativ.
Çështja e votimit të fshehtë që u propozua më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pasi e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk arriti në disa votime t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u konfirmuar në post, tani është dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.
Ato thonë se nuk është kushtetuese mënyra si LVV-ja po tenton që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë dhe i kanë kërkuar Kushtetueses të marrë “një masë të përkohshme për ndalim të mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe të marrë një vendim”.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe refuzuan sërish, në vazhdimin e seancës së konstituimit ditën e sotme që të propozonin një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.
Seanca e konstituimit do të duhet që të vazhdojë të martën e 27 majit. Deri tani, deputetët kanë kaluar vetëm dy pika të agjendës së seancës konstituive: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe atë të betimit të deputetëve.
Por, procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryeparlamentarit. Haxhiu e LVV-së po konsiderohet si figurë përçarëse nga dy parti parlamentare: PDK-ja dhe AAK-ja.
Këto dy subjekte kanë kërkuar që LVV-ja të nxjerrë emër tjetër për kryeparlamentar. LDK-ja ka thënë se nuk ka vota për asnjë të propozuar të LVV-së për postin e kryeparlamentarit.
Propozimi për kryeparlamentar është e drejtë ekskluzive e fitueses së zgjedhjeve, LVV-së, e cila ngul këmbë se Haxhiu e meriton të zgjidhet dhe ndonëse ka kërkuar marrëveshje politike me partitë e tjera, e ka përjashtuar mundësinë të sjellë kandidat tjetër.
Më 15 maj, pas një takimi të thirrur nga presidentja e Kosovës me përfaqësues të partive politike, Vjosa Osmani tha se nuk pati pajtim rreth konstituimit të Kuvendit, por shtoi se kishte parë një “disponim minimal” tek liderët partiakë për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje.
Deputetët duhet të zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri. Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet qeveria e re.