Ministri i Brendshëm në detyrë i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha sot se organet e rendit dhe drejtësisë janë në kërkim të politikanit serb të Kosovës, Aleksandar Arsenijeviç, pasi policia gjeti armë në një pronë të tij në veri të vendit, një ditë më parë.
Duke folur para një seance konstitutive të Kuvendit të Kosovës, Sveçla deklaroi për gazetarët se Arsenijeviç “do të ndalet në momentin që hyn në territorin e Kosovës”.
Tri prona të tij dhe të familjes së tij janë bastisur dje. Ndër të tjera janë gjetur edhe pajisje për mining për kriptovaluta, që është shkelje doganore, një jelek antiplumb dhe gjëra të tjera, gjë që tregon se ai ka qenë i kyçur në krim për një kohë të gjatë, tha Sveçla.
Sipas tij, Arsenijeviç nuk ndodhet në Kosovë dhe se organet e rendit janë në kërkim të tij. Më herët sot, partia e Arsenijeviçit, Demokracia Serbe e pranoi se armët e zjarrit dhe municionet janë gjetur në tokën ku ndodhet shtëpia e pushimit e kryetarit të saj, por pretendon se janë “të kurdisura” nga autoritetet e Kosovës.
Kjo parti nuk dha dëshmi për ta mbështetur këtë pretendim. Demokracia Serbe shtoi se në kohën e kontrolleve dje, Arsenijeviç ndodhej në Serbi. Në një postim në Facebook, Sveçla tha dje se armët e gjetura në pronën e Arsenijeviçit do të mjaftonin “për një njësit terrorist”.
Ai shtoi se gjatë kontrolleve në Vallaq të Zveçanit, që sipas tij u kryen nga Policia e Kosovës dhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës nën vëzhgimin e KFOR-it e të EULEX-it u gjetën raketahedhës, granata dore, si dhe armë e municione të llojeve të ndryshme.
Autoritetet kosovare kanë gjetur armë të llojeve të ndryshme kohë pas kohe në pjesë të ndryshme të Kosovës, kryesisht në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe.
Muajin e kaluar, autoritetet thanë se kishin gjetur një punishte të armëve në Mitrovicën e Veriut dhe gjatë aksionit u raportua se u sekuestruan sasi armatimi e pjesë të ndryshme të armëve.