Policia e Kosovës gjeti armë zjarri në një pronë të politikanit serb të Kosovës në veri të vendit, Aleksandar Arsenijeviç. Për to, ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, tha do të mjaftonin “për një njësit terrorist”. Partia e Arsenijeviçit, Demokracia Serbe, sot pranoi se u gjetën në tokën ku ndodhet shtëpia e pushimit e kryetarit, duke pretenduar se janë “vënë nga autoritetet e Kosovës”, por nuk dha asnjë dëshmi për të mbështetur pretendimin.
Këtë presion, Qeveria dhe Policia e Kosovës po e ushtrojnë vetëm disa muaj para zgjedhjeve lokale, në të cilat Demokracia Serbe planifikon të marrë pjesë si kundërshtare e ashpër e politikave antiserbe dhe diskriminuese të Albin Kurtit e bashkëpunëtorëve të tij.
Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen në muajin tetor. Një ditë më parë, Sveçla bëri të ditur se gjatë kontrolleve në Vallaq të Zveçanit, që sipas tij u kryen nga policia dhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës, nën vëzhgimin e KFOR-it e të EULEX-it, u gjetën raketahedhës, granata dore, si dhe armë e municione të llojeve të ndryshme.
Armatimi i rëndë u gjet në një objekt që i përket politikanit Aleksandar Arsenijeviç.