Rajoni

Kosovë, Albin Kurti vazhdon takimet me partitë joserbe për qeverinë e re!

Për të dytën ditë me radhë, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherazi kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, vazhdoi takimet konsultuese me partitë joserbe për formimin e qeverisë së re të vendit. Disa prej tyre thanë se paraqitën kërkesa për një bashkëpunim të mundshëm me LVV-në. Sot u takua me kryetaren e Unionit Socialdemokrat (SDU), Duda Balje, me kryetarin e Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha dhe atë të Partisë Demokratike Turke të Kosovës, Fikrim Damka. Nga zyra e Kurtit deklaruan se gjatë ditës do të ketë takime të tjera.

Balje u shpreh se i paraqiti kërkesa që partia e saj të mbështesë ekzekutivin e ri.

Kërkesat janë komuna e boshnjakëve, reformat në arsim dhe trajtimi i barabartë me të gjithë deputetët që kanë votë brenda Kuvendit. Në takim nuk është marrë konfirmim se kërkesat do të realizohen, por as nuk i dhashë konfirmim Kurtit se do ta mbështes për formimin e qeverisë së re.

Ky ishte vetëm takimi i parë dhe bisedimet do të vazhdojnë.

Si pjesëtarë të komuniteteve joshumicë, bisedojmë edhe me parti të tjera shqiptare. Për subjektet e tjera, vlejnë të njëjtat kërkesa.

Po ashtu, nuk dha konfirmim nëse do të mbështesë kryetarin e ri të Kuvendit, që duhet të propozohet nga LVV-ja, gjatë seancës konstituive të 15 prillit.

Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane, tha se në parim, partia e tij nuk ka “vija të kuqe” për asnjë subjekt për bashkëpunim të mundshëm.

Ky është vetëm fillimi i diskutimeve dhe presim që të vazhdojnë bisedimet për kërkesat që kemi.

Kërkesat e partisë së tij janë që të investohet më shumë për komunitetin egjiptian, si në infrastrukturë, ashtu edhe në sferën e arsimit e të respektohen të drejtat e këtij komuniteti, që siç tha, përballet me diskriminim. Në rast hyrjeje në qeverinë e re, dëshirojmë të mund të kemi ndikim në politikat qeveritare, me qëllim që të përmirësohet gjendja e komunitetit.

Ndërkaq, nga zyra e Kurtit u tha se gjatë takimit me Fikrim Damkën, i cili është ministër në detyrë i Zhvillimit Rajonal, palët “shprehën vullnetin dhe gatishmërinë që ky bashkëpunim i frytshëm të vazhdojë edhe në legjislaturën në vijim”.