Rajoni

Kosovë, i arrestuari për krime lufte dyshohet se mori pjesë në vrasjen e 71 shqiptarëve në Vushtrri!

Shtetasi me iniciale R.D., i arrestuar dje, dyshohet se ka marrë pjesë në vrasjen e 71 civilëve shqiptarë në Vushtrri në vitin 1999, siç bën të ditur Policia e Kosovës. Sipas burimeve zyrtare, ai ka qenë zyrtar i mobilizuar me njësi të përbëra nga Ministria e Brendshme serbe.

Vepra penale është kryer gjatë periudhës kohore 22 maj 1999, duke vepruar në grup dhe të organizuar si zyrtar i mobilizuar me njësi të përbëra nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, ka marrë pjesë në privimin nga jeta-vrasjen e 71 civilëve shqiptarë. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, thuhet në njoftim.

Në deklaratën e publikuar nga Prokuroria Speciale dhe Policia vihet në dukje se “R.D. dyshohet për krime lufte kundër popullatës civile”, por nuk jepen detaje të tjera se kur janë kryer këto krime dhe se ku. Kohët e fundit, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur disa akuza për krime të kryera gjatë luftës në vitet 1998-99.

Madje në muajin gusht dorëzoi në gjykatë një aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të më shumë se 800 mijë civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës. Që nga përfundimi i luftës, dhjetëra persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendase e ndërkombëtare.

Nga viti 2000 e deri më 2008-ën, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara (UNMIK), ndërsa prej 2008-ës, nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX). Ishte viti 2018 kur EULEX-i dorëzoi çështjet në Prokurorinë e Kosovës dhe gjykatat vendore.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë në vitet 1998-1999 janë vrarë më shumë se 13 mijë civilë e numërohen mijëra persona të tjerë të zhdukur. Rreth 1 mijë e 600 vetë vazhdojnë të jenë të pagjetur, pjesa më e madhe e tyre, shqiptarë.