Rajoni

Kosovë, nesër seanca për konstituimin e Kuvendit!

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, thërret për nesër në mesditë, seancën e konstituimit të Kuvendit.

Pas konsultimit me shumicën e partive parlamentare të përfaqësuara në Kuvend dhe duke pasur parasysh urgjencën e krijimit të institucioneve, miratimit të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, Presidentja ka vendosur që seancën konstituive të Kuvendit ta ftojë për nesër, më 11 shkurt 2026, në orën 12:00, thuhet në njoftimin zyrtar të Presidencës.

Ky është Kuvendi i dalë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit të kaluar. Kujtojmë se Kosova u përball me një krizë të thellë institucionale dhe politike pas parlamentareve të 9 shkurtit 2025. Kjo pasi partitë shqiptare nuk arritën të binin dakord për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, çka u pasua nga një bllokadë për zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb.

Zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025 u shpallën kur dy kandidatë nga Lëvizja Vetëvendosje: Albin Kurti dhe Glauk Konjufca nuk arritën të siguronin numrin e mjaftueshëm të votave për të formuar qeverinë e re. Me mbajtjen e votimeve, situata ndryshoi dhe tani Vetëvendosja i ka numrat.