Rajoni

Kosovë, Oda Ekonomike thirrje partive të shmangin zgjedhjet e parakohshme!

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) iu ka bërë thirrje subjekteve politike që të shmangin zgjedhjet e parakohshme e të përqendrohen në sigurimin e stabilitetit institucional, ndërkohë që ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Në një letër publike të datës 3 mars, kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, thekson se çdo vonesë në procesin e zgjedhjes së presidentit rrit pasigurinë ekonomike dhe ndikon në besueshmërinë e vendit për investitorët.

Thirrja e Odës vjen në një kohë kur kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, po vazhdojnë bisedimet për një kandidat të përbashkët presidencial.

Në raundin e parë të takimeve nuk u arrit konsensus, ndërsa partitë mbeten të ndara mbi mënyrën e përzgjedhjes dhe emrat e mundshëm.

OEK-u vë në dukje se stabiliteti politik është parakusht për zhvillim ekonomik, duke kujtuar se sektori privat në Kosovë mbetet i ndjeshëm ndaj zhvillimeve ndërkombëtare dhe luhatjeve në treg.

Në letër theksohet nevoja për investime të brendshme e të jashtme, si dhe reforma strukturore që rrisin konkurrueshmërinë e vendit.

Sipas Kushtetutës, për të zgjedhur presidentin nevojiten të paktën 80 vota nga 120 deputetë në njërin nga dy raundet e para të votimit, ose 61 vota në të tretin.

Moszgjedhja e tij brenda afateve kushtetuese mund të çojë në shpërndarje të Kuvendit dhe zgjedhje të reja parlamentare.