Seanca për zgjedhjen e presidentit të Kosovës vazhdon sot, në ditën kur skadon edhe afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Kur dje në Kuvend morën pjesë vetëm deputetët e shumicës, u votua për dy kandidatet për presidente, të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.
Rushiti mori 63 vota në raundin e parë, ndërsa Hoxha asnjë votë. Një votë tjetër ishte e pavlefshme. Përfaqësues të opozitës dhe të shoqërisë civile thanë se votimi i presidentit pa kuorumin e nevojshëm, cenon rendin kushtetues.
Në Kosovë, Kushtetuta dhe praktika e Gjykatës Kushtetuese përcaktojnë se në seancë duhet të jenë të pranishëm të paktën 80 deputetë, që të konsiderohet se janë plotësuar kushtet ligjore për të proceduar me zgjedhjen e presidentit. Nëse asnjëri prej kandidatëve nuk i merr votat e nevojshme në dy raundet e para, organizohet i treti.
Që raundi i tretë të jetë i vlefshëm, në votim duhet të marrin pjesë 80 deputetë, ndërsa kandidati që merr të paktën 60 vota zgjidhet president i Kosovës. Në seancën e djeshme ishin vetëm deputetët e shumicës parlamentare, më pak se 70 prej tyre.