Rajoni

Ngërçi në Kuvend, deputetët reagojnë ndaj paralajmërimit të Trump-it për Kosovën!

Deputetët sërish dështuan të konstituojnë Kuvendin e Kosovës, teksa bënë thirrje për formimin e institucioneve mes ndryshimeve gjeopolitike në botë dhe deklaratës së presidentit amerikan, Donald Trump, për raportet mes Kosovës e Serbisë. Mimoza Kusari-Lila, nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se deklarata e Trumpit po “keqpërdoret nga forcat brenda për çështje politike”.

Të dielën, Trump shkroi në Truth Social se gjatë mandatit të parë presidencial, Kosova dhe Serbia “po shkonin drejt  përplasjes së ashpër” dhe ishte gati shpërthimi i një lufte, por shtoi se ai e ndaloi, duke akuzuar pasardhësin e tij, ish-presidentin Joe Biden, se e “ka dëmtuar perspektivën afatgjatë me disa vendime shumë të pakuptimta”, por se ai do ta rregullojë sërish”.

Këtë deklaratë Trump e bëri teksa përcolli një mesazh për paqe në Lindjen e Mesme, pasi Izraeli dhe Irani që nga e premtja po sulmojnë vazhdimisht njëri-tjetrin.

Kusari-Lila tha se deklarata e Trumpit i referohet marrëveshjes së arritur në Uashington nga Kosova dhe Serbia për normalizim ekonomik dhe jo për ngjarjet aktuale në Kosovë. Madje u shpreh se ka dëgjuar se kjo deklaratë është interpretuar si thirrje nga presidenti amerikan për konstituimin e institucioneve në Kosovë.

Jam e bindur se me krejt çfarë po ndodh në botë, pak vëmendje ose fare vëmendje ne si shtet apo si Ballkan kemi në agjendën e tij”, tha Kusari-Lila, duke shtuar se i duket “absurde” që kjo deklaratë e Trumpit të përdoret për luftën e brendshme politike.

Por, nga Partia Demokratike e Kosovës i bënë thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje që të reflektojnë dhe të sillen me përgjegjësi, duke theksuar se “bota po ndryshon çdo ditë”. Pas seancës, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, deklaroi:

Nëse në një moment, Kosova pranon një kërkesë të shpejtë nga SHBA-të për të pasur akses më proaktiv në raport me një marrëveshje potenciale mes Kosovës e Serbisë dhe nëse ne nuk i kemi institucionet e konsoliduara, kjo gjithsesi i dëmton institucionet e Kosovës.

Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj:

[Presdenti Trump] i ka dhanë sinjalet për qasjen e tij për zgjidhjen e problemeve. Vendi duhet të veprojë shpejt në mënyrë që të jetë një partner i gatshëm dhe i besueshëm.

Ndërkaq, deputeti nga radhët e komunitetit serb, Nenad Rashiç, foli për ndryshimin e qasjes së administratës Trump. Ai kujtoi se në të kaluarën, Amerika ka ndihmuar vendin në tejkalimin e ngërçeve politike.

Por tani, nuk jam i sigurt se administrata amerikane do të hyjë në një aventurë politike si në atë kohë”, duke kujtuar zgjedhjen e Atifete Jahjagës në postin e presidentit.

Për zgjedhjen e saj, SHBA-të ndihmuan forcat politike që të arrinin një marrëveshje.

Normalisht na duhet stimulim nga administrata amerikane por ne duhet të jemi më të vendosur.

Duda Balje, deputete nga radhët e komunitetit boshnjak, kërkoi që vetë politikanët në Kosovë të arrijnë te një zgjidhje dhe jo të ketë ndërhyrje nga jashtë. Deputetët do të mblidhen sërish pas 48 orësh, përkatësisht të enjten e 19 qershorit.