Rajoni

Deputetët nuk arritën as sot ta konstituonin Kuvendin e Kosovës!

Për të 34-ën herë radhazi, deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan të konstituojnë përbërjen e re parlamentare të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Hera e 26-të që Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe nuk propozojnë nga një anëtar për formimin e komisionit për votim të fshehtë për kandidaten e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, për kryetare të Kuvendit. Kjo meqë Haxhiu nuk ka arritur të marrë 61 votat e domosdoshme në votimin e hapur.

Ata do të mblidhen sërish pas 48 orësh, përkatësisht të shtunën më 21 qershor. Lëvizjes Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, i takon të propozojë kandidatin për kryeparlamentar. Ky subjekt thekson se Haxhiu është personi i duhur për të drejtuar organin ligjvënës. Por, për PDK-në dhe AAK-në, Haxhiu konsiderohet figurë përçarëse, duke kërkuar që partia e Albin Kurtit të ndryshojë kandidaten.

Çështja e ndryshimit të mënyrës së votimit, nga e hapur në të fshehtë është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë. Sipas tyre, propozimet e LVV-së nuk janë kushtetuese dhe kanë kërkuar nga Gjykata të vendosë “një masë të përkohshme për ndalimin e mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë e të marrë një vendim”.

Teksa vendi ka mbetur pa institucione të reja prej mbi katër muajsh që nga mbajtja e zgjedhjeve, LDK-ja që doli e treta në zgjedhje ka paraqitur një plan me 15 pika për një qeveri uniteti, duke i ftuar të gjitha partitë që ta formojnë një ekzekutiv të tillë, në mënyrë që vendi të dalë nga kriza.

Ky propozim është refuzuar nga LVV-ja, ndërsa PDK-ja dhe AAK-ja kanë thënë se preferojnë formimin e një qeverie me partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë. Por, çështja nuk mund të kalojë te zgjedhja e qeverisë së re të Kosovës pa u konstituar Kuvendi.

Seanca për konstituimin e Kuvendit ka nisur më 15 prill dhe deputetët duhet të zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët, për të cilët kërkohen 61 vota, në mënyrë që më pas të hapet rruga për formimin e ekzekutivit. Faktori ndërkombëtar i ka bërë thirrje ligjvënësve që sa më shpejt të formojnë institucionet e reja.