Aktualitet

KPA lë në fuqi shkarkimin e prokurorit të Elbasanit, Petref Asllani!

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shpallur sot vendimin përfundimtar për çështjen që lidhet me rivlerësimin e prokurorit të Elbasanit, Petref Asllani. Trupi gjykues, i kryesuar nga Ina Rama dhe me relatore Mimoza Tasin, vendosi në mënyrë unanime lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili kishte shkarkuar Asllanin nga detyra.

Vendimi u mor pas shqyrtimit të ankimit të paraqitur nga Asllani kundër vendimit nr. 761, datë 14 maj 2024 të Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. KPA u bazua në nenin 66 të ligjit për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke e konsideruar të drejtë dhe të ligjshëm vendimin e shkallës së parë.

LEXO EDHE: 1 mld dollarë për linjën energjetike, Kryeministri Rama flet në Abu Dhabi për projektin që lidh Shqipërinë dhe Italinë

Sipas njoftimit zyrtar, vendimi i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

Petref Asllani u shkarkua nga detyra më 14 maj 2024 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pas problemeve të konstatuara në kriterin e pasurisë dhe figurës. Gjatë procesit të rivlerësimit, ai u përball me barrën e provës për transaksione të paqarta lidhur me dy apartamente, si dhe me mosdeklarimin e një procedimi penal në formularin e vetëdeklarimit.

Vendimi i KPK-së u ankimua nga Asllani, por u la në fuqi nga KPA.

LEXO EDHE: Arratisja e bujshme e Altin Ndocit, ‘furtunë’ në Burgun e Durrësit, shkarkohet i gjithë zinxhiri komandues