Auto & Moto

Kreu i EPA synon të heqë stimujt federalë për sistemet start-stop në vetura?

Drejtori i Agjencisë Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA), Lee Zeldin, ka njoftuar se do të punojë për të eliminuar stimujt federalë për teknologjinë start-stop në vetura, duke e quajtur atë një “trofe klimatik për pjesëmarrjen”.

Përmes një postimi në rrjetin X, Zeldin kritikoi sistemin që fik motorin kur vetura ndalon, zakonisht në semaforë, për të kursyer karburant dhe reduktuar emetimet.

EPA e miratoi dhe të gjithë e urrejnë, kështu që po e rregullojmë

Teknologjia është bërë standard në shumë automjete, veçanërisht pas masave mjedisore të ndërmarra gjatë administratës Obama.

Studime nga Shoqata e Inxhinierëve të Automobilave tregojnë se kursimi i karburantit mund të arrijë deri në 26% në zonat urbane, por ndikimi është më i vogël në autostrada.

Njoftimi ka ngjallur debat. Kritikët paralajmërojnë se heqja e mbështetjes për këtë teknologji mund të ndikojë negativisht në përpjekjet për reduktimin e ndotjes. Ndërsa mbështetësit thonë se ajo është jopopullore dhe jo gjithmonë efektive.

EPA ende nuk ka bërë publike detaje për implementimin e këtij ndryshimi.